Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

“Wrath of Man” filmi i radhës aksion i yllit Jason Statham

Foto: AP/Associated Press

Janë publikuar pamjet e para të trilerit hakmarrës, “Wrath of Man”, që është projekti i radhës i yllit hollywoodian Jason Statham në të cilin i bashkon forcat me regjisorin, Guy Ritchie.

Aktori i njohur 53-vjeçar, Statham, i cili në të kaluarën ka luajtur në filmat e Guy Ritchiet, “Lock, Stock and Two Smoking Barrels” dhe “Snatch”, në këtë projekt të radhës së regjisorit britanik e portretizon një burrë misterioz dhe me karakter të rëndë, i cili shkon për të punuar për një kompani kamionësh që transportojnë qindra miliona dollarë nëpër Los Angeles. Por, ai i befason kolegët e tij të ri gjatë një grabitjeje kur i shfaq aftësitë precize por edhe të rrezikshme në dyluftim. Ekipi i kompanisë fillon të dyshojë rreth prejardhjes së tij, por shumë shpejtë motivi përfundimtar i kolegut të tyre bëhet i qartë ndërsa ai ndërmerr hapa dramatikë dhe të parevokueshëm, për të marrë hak ndaj vrasësve të djalit të tij.

Regjisori 51-vjeçar dhe aktori i famshëm botëror kanë punuar së bashku për më shumë se 20 vjet dhe Ritchie, në të kaluarën e kishte quajtur Stathamin një aktor shumë të aftë dhe të talentuar, i cili i përmban të gjitha kualitetet që ai dëshiron t’i shohë te një yll i kinematografisë.

Holt McCallany, Jeffrey Donovan, Josh Hartnett, Laz Alonzo, Raúl Castillo, Deobia Oparei, Eddie Marsan dhe Scott Eastwood, po ashtu luajnë në filmin e bashkëshkruar nga Guy Ritchie, Ivan Atkinson dhe Marn Davies.

Edhe pse data e lansimit të tij ishte shtyrë dy herë, “Wrath of Man” do të fillojë së shfaquri nëpër kinema nga 7 maji i këtij viti.