Edhe pse shquhet si regjisor i cili lanson filma rregullisht, Guy Ritchie, ka qenë në goxha i zënë këto kohët e fundit.
Derisa shumica e projekteve të tij në dekadën e fundit lidhen me adaptime me buxhet të lartë për studiot hollywoodiane, regjisori i filmave “Snatch” dhe “Lock, Stock”, më në fund i është kthyer stilit të vjetër të punës.
Me studion “Miramax”, Ritchie e ka realizuar filmin e ri që i ngërthen tri zhanre, krim, aksion dhe komedi, dhe në rolet protagonist i sjellë aktorët, Jason Statham, me të cilin së fundmi e ka realizuar filmin “Wrath of Man” dhe Hugh Grant, i cili ka luajtur në projektin e tij shumë të pëlqyer nga publiku, “The Gentlemen”.
Filmi titullohet “Operation Fortune: Ruse de guerre” dhe e sjell regjisorin në formatin e tregimeve me spiunë, për herë të parë nga realizimi i filmit të vitit 2015, “The Man From U.N.C.L.E”.
Filmi i ardhshëm e rrëfen historinë e super spiunit Orson Fortune, i cili duhet ta ndalojë një marrëveshje për shitjen e armëve të rrezikshme, ku përfshihet edhe miliarderi Greg Simmonds. Për ta ndaluar Simmondsin, ai duhet ta kërkojë ndihmon e një tjetër spiuneje dhe një aktori të listës A.
Edhe
“Wrath of Man” filmi i radhës aksion i yllit Jason Statham
Si gjithmonë ekipi i aktorëve të këtij projekti është përzgjedhur me shumë kujdes nga Ritchie. Krahas yjeve Jason Statham dhe Hugh Grant, në film luajnë edhe Aubrey Plaza, Josh Hartnett dhe Cary Elwes. Këta dy të fundit kanë bashkëpunuar edhe në të kaluarën me regjisorin e famshëm britanik.
Adhuruesit e filmave të Guy Ritchie nuk do të duhet të presin shumë gjatë për lansimin e këtij filmi të ri, pasi “Operation Fortune: Ruse de guerre” lansohet nëpër kinema në janar të vitit 2022.