Showbiz

Vjehrri i Brooklynit reagon pas përçarjes së familjes Beckham

Familja Beckham

Foto: Associated Press

Babai i Nicola Peltz Beckham, miliarderi amerikan Nelson Peltz, ka reaguar për herë të parë publikisht pas përçarjes së raportuar mes vajzës së tij, bashkëshortit të saj Brooklyn Beckham dhe familjes Beckham.

Gjatë një paraqitjeje në WSJ Invest Live, të martën, 83-vjeçari u pyet për mënyrën se si menaxhohen situatat e vështira, sidomos kur ato zhvillohen nën vëmendjen e publikut, ka raportuar FemaleFirst.

“A ka qenë familja ime në media kohët e fundit? S’e kam vënë re fare”, ka thënë ai me ironi.

Më pas ka shtuar se këshilla e tij kryesore është që familjet të qëndrojnë larg medias.

“Këshilla ime është të qëndroni larg shtypit. Sa mirë ju bën kjo gjë? Vajza ime dhe familja Beckham janë një histori krejt tjetër. Kjo nuk është për t’u trajtuar këtu sot, por mund t’ju them që vajza ime është e mrekullueshme, dhëndri im Brooklyn është i mrekullueshëm dhe shpresoj të kenë një martesë të gjatë dhe të lumtur bashkë”, ka thënë tutje Peltz.

Nelson Peltz, baba i dhjetë fëmijëve, u pyet gjithashtu nëse i ka dhënë ndonjë këshillë çiftit për përballimin e situatave të vështira.

“Po. Nganjëherë ata më japin këshilla mua”, ka thënë ai.

Reagimi i tij vjen një muaj pasi Brooklyn Beckham publikoi një deklaratë të gjatë dhe tronditëse në Instagram, ku akuzoi prindërit e tij, David dhe Victoria Beckham, se janë përgjegjës për prishjen e marrëdhënieve familjare. Ai pretendoi se prindërit e tij kanë dashur të “shkatërrojnë marrëdhënien” e tij me Nicola Peltzin dhe akuzoi nënën e tij se i kishte prishur vallëzimin e parë të dasmës.

“Nëna ime ma rrëmbeu vallëzimin e parë me gruan time, i cili ishte planifikuar prej javësh me një këngë romantike. Përpara 500 të ftuarve në dasmë, Marc Anthony më thirri në skenë, ku sipas programit duhej të vallëzoja me gruan time, por në vend të saj më priste nëna ime”, pati shkruar ai.

Ai vazhdoi duke thënë se situata e kishte bërë të ndihej jashtëzakonisht keq. Brooklyn zbuloi gjithashtu se ai dhe Nicola kishin menduar të rinovonin betimet martesore për të krijuar kujtime të reja pozitive nga dita e dasmës.

Në postimin e tij të fundit, ai ka theksuar se ai dhe Nicola dëshirojnë vetëm paqe, privatësi dhe lumturi për veten dhe familjen që planifikojnë në të ardhmen.

“Zgjohem çdo mëngjes mirënjohës për jetën që kam zgjedhur dhe kam gjetur paqe dhe lehtësim. Unë dhe gruaja ime nuk duam një jetë të formësuar nga imazhi, shtypi apo manipulimi. Gjithçka që duam është paqe, privatësi dhe lumturi për ne dhe familjen tonë të ardhshme”, pati shkruar ndër të tjera ai.