Ikona meksikane e muzikës, Vicente Fernandez, është në gjendje kritike shëndetësore, por larg rrezikut për jetën, pasi është shtruar në spital si pasojë e rrëzimit javën e kaluar, thuhet në një postim në Instagram të bërë nga ekipi i tij mjekësor.
Teksa mbreti 81-vjeçar i muzikës ranchera raportohet se është pa vetëdije, funksioni i trurit është i paprekur, kanë thënë mjekët. Ata presin që lëvizshmëria e tij të përmirësohet dhe thonë se është qetësuar minimalisht.
Ylli i hiteve “Volver, volver” dhe “Por tu maldito amor” ishte rrëzuar në fermën e tij në Los Tres Potrillos, jashtë Guadalajaras. Rrëzimi shkaktoi trauma në palcën e tij kurrizore, kanë bërë të ditur mediat.
Fernandez ka pasur probleme të shumta shëndetësore vitet e fundit. Ai ishte shtrua në spital shkaku i një infeksioni renal kohëve të fundit ndërsa në vitin 2012 iu nënshtrua një operacioni të ndërlikuar, me ç’rast hoqi pothuajse gjysmën e mëlçisë shkaku i një tumori.
Një vit pas kësaj u përball me trombozë pulmonare dhe në mars të 2015-s këngëtarit iu hoqën tri hernie.
Këtë vit, Fernandez u ballafaqua me publikimin e fotove që duket se e shfaqnin atë duke prekur gratë pa pëlqimin e tyre, teksa po pozonte me to.
Edhe
Julio Iglesias mohon akuzat për sulm seksual
Ai u akuzua gjithashtu për abuzim seksual nga këngëtarja Lupita Castro. Fernandez ka mohuar çdo sjellje të pahijshme.
Këngëtari ka shitur më shumë se 65 milionë albume dhe ka xhiruar më shumë se 35 filma. Është fitues i tri çmimeve “Grammy” dhe tetë “Grammy Latin”, përveçqë u shpall personi i vitit nga Akademia Latine e Muzikës më 2002.