Showbiz

Julio Iglesias mohon akuzat për sulm seksual

Julio Iglesias

Këngëtari fitues i çmimit Grammy, Julio Iglesias, ka mohuar akuzat se ai sulmoi seksualisht dy ish-punonjëse, duke i quajtur akuzat absolutisht të pavërteta.

Gratë pretendojnë se superylli 82-vjeçar spanjoll ka abuzuar me to, në kohën kur ato punonin në pronat e tij në Bahamas dhe Republikën Dominikane.

“Me hidhërim të thellë, u përgjigjem akuzave të bëra nga dy persona që më parë punonin në shtëpinë time. Mohoj se kam abuzuar, detyruar ose nuk kam respektuar ndonjë grua. Këto akuza janë absolutisht të rreme”, ka thënë Iglesias në Instagram.

Akuzat, të cilat u raportuan për herë të parë në fillim të kësaj jave, po hetohen nga autoritetet e Spanjës.

Dy gratë, një punëtore shtëpiake dhe një fizioterapiste - kanë pretenduar se kanë vuajtur abuzim seksual dhe forma të tjera abuzimi në kohën kur punonin në pronat e Iglesias.

Sipas raportimeve, ato punuan në rezidencat e tij në Karaibe për 10 muaj në vitin 2021, kohë kur ato pretendojnë se ndodhën sulmet seksuale.

Më 5 janar, gratë ngritën një padi për sulm seksual dhe trafikim qeniesh njerëzore në gjykatën, e cila heton krimet që dyshohet se janë kryer përtej kufijve të Spanjës.

Iglesias, është një nga artistët më të suksesshëm muzikorë në botë, duke shitur më shumë se 300 milionë disqe. Pasi filloi karrierën në Spanjë, ai fitoi popullaritet të madh në Shtetet e Bashkuara dhe në mbarë botën në vitet 1970 dhe 1980. Ai është babai i pop këngëtarit, Enrique Iglesias.