Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Lizzo: Jam pajtuar me imazhin e ri që njerëzit kanë krijuar për mua

Lizzo

Lizzo

Foto: Associated Press

Këngëtarja amerikane Lizzo ka rrëfyer se i është dashur të bëjë paqe me faktin se, pas skandalit me ish-valltarët e saj, publiku tashmë e sheh në një mënyrë tjetër.

Ylli i muzikës pop, emri i vërtetë i së cilës është Melissa Jefferson, u përfshi në një polemikë të madhe në vitin 2023, kur disa prej ish-valltarëve të saj e paditën, duke e akuzuar për krijimin e një “mjedisi abuziv pune”. Ata pretenduan se gjatë kohës që punonin me këngëtaren kishin përjetuar ngacmime seksuale dhe komente poshtëruese lidhur me peshën e tyre.

Lizzo i ka mohuar vazhdimisht këto akuza.

Gjatë një interviste me Willie Geist për emisionin “Sunday Today”, këngëtarja ka pranuar se beteja ligjore ka ndryshuar mënyrën se si një pjesë e publikut e percepton atë, ka shkruar FemaleFirst.

“Më është dashur të bëj paqe me faktin se tani ekziston një version i Lizzos që kontrollohet nga bota. Bota kontrollon narrativën, jo unë. Por ajo që mund të kontrolloj është se kush jam në të vërtetë”, ka thënë ajo.

Lizzo ka thënë gjithashtu se nuk ndien nevojën të luftojë kundër çdo pretendimi që e konsideron të pavërtetë, duke shtuar se preferon që vëmendja të përqendrohet te gjërat pozitive që ka bërë dhe vazhdon të bëjë.

“Gjithçka që të ndodhë, e mirë apo e keqe, është një mundësi për t’u rritur”, ka thënë ajo.

Beteja ligjore mes Lizzos dhe ish-valltarëve të saj vazhdon. Në kohën kur akuzat u bënë publike, këngëtarja reagoi përmes një deklarate emocionale në rrjetet sociale, duke i mohuar pretendimet.

Ajo pretendoi se akuzat vinin nga ish-punonjës të cilët, sipas saj, kishin pranuar publikisht se ishin paralajmëruar për sjellje të papërshtatshme dhe joprofesionale gjatë turneut.

Ylli ka theksuar gjithashtu se puna me pasion shoqërohet me standarde të larta dhe se ndonjëherë është e detyruar të marrë vendime të vështira.

Në fund, këngëtarja ka thënë se nuk dëshiron të shihet as si viktimë, por as si personi negativ që, sipas saj, është portretizuar nga disa njerëz dhe media.

“Nuk jam këtu për t’u parë si viktimë, por e di gjithashtu se nuk jam përbindëshi që njerëzit dhe media më kanë portretizuar gjatë këtyre ditëve”, ka thënë ajo.

Lizzo ka folur edhe për mënyrën se si shpreh seksualitetin dhe personalitetin e saj publikisht.

“Jam shumë e hapur për seksualitetin tim dhe për mënyrën se si shprehem, por nuk mund ta pranoj dhe as ta lejoj që njerëzit ta përdorin këtë hapje për të më paraqitur si dikush që nuk jam”, ka thënë ajo.