Siç u diskutua dy javë më parë, Black Keys dhe Robert Plant do të jenë ndër performansat e mëdha të rokut që do të interpretojnë në festivalin Woodstock 50 këtë verë. Por Michael Lang, i cili e bashkëprodhoi eventin origjinal, gjithashtu e ka mbajtur premtimin se do të sjellë disa nga artistët të cilët kanë performuar në atë fundjavë historike. Tani është bërë i ditur formacioni preliminar dhe ai përfshin emra si Santana, John Fogerty, David Crosby dhe Dead & Company, bendi i përbërë nga tre anëtarë origjinalë të Grateful Dead.

Tërë formacionin mund ta shihni në vazhdim dhe ai e përmban John Sebastian, Melanie, Country Joe McDonald, Canned Heat, të cilët që të gjithë ishin në Woodstock. Amy Helm, babai i së cilës (Levon Helm) interpretoi në festival si anëtar i Band dhe i cili i ka publikuar dy albume solo, gjithashtu planifikohet të interpretojë, shkruan KOHA Ditore.
Në janar, Lang tha se Woodstock 50 do të ishte një "projekt eklektik" i përbërë nga "hip-hopi dhe rocku dhe disa performanca pop dhe disa nga bendet nga festivali origjinal." Ai edhe e aplikoi këtë, me ç’rast Jay-Z, Killers, Miley Cyrus, Imagine Dragons dhe Chance the Rapper ishin në mesin e emrave më të mëdhenj të radhitur. Ende nuk dihet, nëse, siç sugjeroi ai, do të ketë performanca përkujtuese të disa prej muzikantëve që tani janë të vdekur, si Janis Joplin dhe Joe Cocker, por më shumë performanca priten të paralajmërohen në të ardhmen.
Festivali do të mbahet më 16-18 gusht në hipodrom në Watkins Glen në New York, rreth 241 km nga vendi origjinal në Bethel Woods të New Yorkut. The Bethel Woods Center for the Arts, i cili tani është i vendosur në atë që dikur ishte ferma e Max Yasgur , do ta ketë ngjarjen e vet, ku Ringo Starr dhe Santana do të jenë në mesin e atyre që do të performojnë.
Sipas “Rolling Stone”, biletat për Woodstock 50 do të dalin në shitje më 22 prill ndërkohë që për detaje të plota si dhe për t’u regjistruar për përditësime mund të drejtoheni në ueb faqen e Woodstock.