Shqiptarja me famë botërore, Rita Ora, në kuadër të bashkëpunimit të saj me brendin e veshjeve “Primark”, ka bërë një fotosesion të koleksionit të ri bashkë me nënën e saj, Vera Orën. E në një deklaratë ekskluzive për KOHËN, nëna e Ritës ka folur për emocionet që ka pasur gjatë realizimit të kampanjës.
“Jam shumë e emocionuar të ndaj këtë koleksion me të gjithë ju. Sezoni i festave ka të bëjë me bashkimin dhe thellimin e marrëdhënieve tona me të afërmit, ndërkohë që kalojmë kohë të mirë dhe ‘Primarku’ e ka bërë pikërisht këtë. Faleminderit ekipit që na ndihmuan ta realizojmë këtë. Shpresoj të ju pëlqej po aq sa na pëlqeu neve ndërkohë që po e realizonim setin fotografik. Faleminderit Elena Ora që e bëre të mundur këtë”, ka shkruar Vera Ora fillimisht në Instagram.
Ndërkaq në një deklaratë për KOHËN, Ora ka thënë se është shumë e lumtur që mori pjesë në këtë kampanjë botërore të Ritës për ‘Primarkun’.
“Unë si nënë që punoj dhe si grua tashmë më në moshë, desha të tregoj dhe të shpreh se raportet e mira dhe bashkëpunimi me anëtarët e familjes krijojn mundësi për familje të shëndoshë, raporte këto që janë primare për lumturinë dhe pse mos të kënaqemi pak!”, ka thënë Ora.
Ajo ka shtuar se ky bashkëpunim ishte fantastik për të, pasi e pa si një mundësi për ta përkrahur punën që të dy bijat e saj, Elena dhe Rita, e bëjnë me përkushtim.
“Gjithashtu, përmes kësaj kampanje, pata rastin të shpreh edhe inkurajimin tim për të gjitha gratë e vajzat që të ju them se mosha nuk paraqet kufi, por mundësi të shumta që ne t’i gëzojmë”, ka thënë tutje Ora e cila veshjet e këtij koleksion i ka vlerësuar si glamuroze dhe me stil.
Nëna e yllit, ndër të tjera ka thënë se po planifikon që festat t’i kalojnë të gjithë së bashku duke shpresuar se puna dhe obligimet ta mundësojnë këtë.
Ndërkohë, Rita pasi ndau lajmin për koleksionin e ri përmes Instagramit, ka thënë se nëna e saj, përmes këtij fotosesioni ka dëshmuar se mosha është vetëm numër.
“Nëna ime e mrekullueshme, Vera, më është bashkuar si modele për të vënë në dukje disa veshje të këtij koleksioni dhe ka dëshmuar se mosha është vetëm numër dhe gjithkush mund të ndihet shumë mirë me veshje nga ky koleksion. Ajo është yll!”, ka shkruar ndër të tjera artistja.
Ylli ka bërë disa koleksione me brendin ne fjalë dhe kjo është hera e parë ku si modele është përfshirë nëna e saj.
Ditë më parë, në ngjarën e ndarjes së çmimeve nga televizioni i muzikës, MTV, “EMA”, Vera dhe Rita u shfaqen bashkë në tepihun e kuq ku pozuan për fotografët e pranishëm.