Showbiz

Vdiq në moshën 30-vjeçare modelja ruse, Kseniya Alexandrova

Kseniya Alexandrova

Kseniya Alexandrova

Modelja dhe prezantuesja televizive ruse, Kseniya Alexandrova, e cila mori pjesë në konkursin “Miss Universe në vitin 2017”, ka ndërruar jetë në moshën 30-vjeçare, ka raportuar USA TODAY.

Lajmin e konfirmoi agjencia e saj e modelimit, “Modus Vivendis”, përmes një postimi emocional në Instagram. Shkaku i vdekjes nuk u bë publik nga agjencia, por mediat ruse raportuan se Alexandrova humbi jetën në një aksident trafiku më 12 gusht, teksa po udhëtonte me bashkëshortin e saj.
 


Sipas RIA Novosti, makina e tyre u përplas ballë për ballë me një dre që kishte dalë në rrugë, dhe Alexandrova pësoi goditje fatale në kokë.

“Kseniya ishte e ndritshme, e talentuar dhe jashtëzakonisht e veçantë. Ajo dinte si të frymëzonte, të mbështeste dhe t’u jepte ngrohtësi të gjithëve përreth. Për ne, ajo do të mbetet gjithmonë simbol i bukurisë, mirësisë dhe forcës së brendshme”, ka shkruar agjencia “Modus Vivendis”.

Modelja ishte martuar vetëm pak muaj më parë, në mars, siç kishte njoftuar vetë në një postim në Instagram më 2 prill.

E lindur në Moskë, Alexandrova përfaqësoi qytetin e saj në konkursin “Miss Russia 2017”, ku u shpall nënkampione. Ajo kishte diplomuar një vit më parë në Universitetin Ekonomik Plekhanov të Rusisë, ku mori një diplomë në financë. Pasi fituesja e “Miss Russia”, Polina Popova, vendosi të përfaqësonte vendin në “Miss World”, Alexandrova mori pjesë në “Miss Universe 2017”.

“Dua që njerëzit anembanë botës të besojnë në vetvete dhe të kenë gjithmonë një ëndërr. Duhet të jemi të fortë, të mos dorëzohemi kurrë dhe të besojmë se në këtë botë gjithçka është e mundur”, pati thënë ajo në një intervistë gjatë garës.

Organizata “Miss Universe” ka publikuar një homazh në rrjete sociale më 14 gusht, duke shprehur “ngushëllimet më të sinqerta për familjen, miqtë dhe të gjithë ata që u prekën nga drita e ‘Miss Universe Russia 2017’”.

“Hiri, bukuria dhe shpirti i saj lanë gjurmë të pashlyeshme në familjen e ‘Miss Universe’ dhe më gjerë. Qoftë kujtimi i saj frymëzim për mirësinë, forcën dhe dashurinë tek të gjithë ata që patën fatin ta njihnin”, thuhet në homazhin në fjalë.

Përveç suksesit si modele, Alexandrova kishte vazhduar edhe studimet e saj. Në një postim në Instagram në nëntor 2022, ajo kishte treguar se po punonte si terapiste e psikodramës.