Muzikanti Cormac Roth, njëherësh djali i aktorit të njohur hollywoodian, Tim Roth, ka vdekur në moshën 25-vjeçare pas një beteje të shkurtër me sëmundjen e kancerit, shkruan agjencia e lajmeve “AP”. Lajmin u konfirmua nga familjarët e tij të hënën (31 tetor).
“Cormac vdiq në paqe më 16 tetor, në përqafimin e familjarëve të tij dhe njerëzve që e adhuronin”, shkruhej në komunikatën e lëshuar për media. “Pikëllimi vjen në valë, ashtu si lotët dhe të qeshurat, kur mendojmë për atë djalë të bukur përgjatë 25 viteve e 10 muajve që e kemi njohur. Një fëmijë i papërmbajtshëm, i gëzuar, i egër dhe i mrekullueshëm, i cili e përjetoi të qenit burrë vetëm për një kohë të shkurtër. Ne e duam shumë atë dhe do ta mbajmë me vete përgjatë gjithë jetës”.
Cormac Roth ishte kitarist, kompozitor dhe producent muzikor. Në nëntor të vitit të kaluar, përmes një postimi në Instagram ai e zbuloi lajmin se është diagnostikuar me shkallën e tretë të kancerit të qelizave germinale. Me këtë rast i nxiti të gjithë bashkëmoshatarët e tij që të kontrollohen rregullisht te mjeku.
Babai i Cormacut është aktori i njohur i Hollywoodit, Tim Roth, i cili gjatë karrierës së gjatë në kinematografi ka luajtur në projekte të tilla si, “Reservoir Dogs”, “Pulp Fiction” dhe “The Incredible Hulk”.