Showbiz

Vdiq aktori i serialit “Friends”, James Michael Tyler

Aktori amerikan James Michael Tyler, i cili më së shumti luajti si Gunther në serialin televiziv “Friends”, ka vdekur në moshën 59-vjeçare.

“Tyler ndërroi jetë paqësisht në shtëpinë e tij në Los Anxhelos të dielën në mëngjes”, thuhet në një deklaratë nga menaxheri i tij.

“Nëse e keni takuar një herë, keni bërë një shok për jetën. Ai ka lënë pas gruan e tij, Jennifer Carno, dashuria e jetës së tij", thuhet tutje në njoftim.

Tyler u diagnostikua me kancer të avancuar të prostatës në vitin 2018, i cili më vonë u përhap në kockat e tij.

Ndërsa ai nuk ishte në ekran me të njëjtën sasi të kohës si gjashtë personazhet kryesore të “Friends”, Gunther ishte dhe mbetet një figurë popullore në mesin e fansave.

Personazhi i Tylerit në serialin “Friends” ishte kamarieri dhe menaxheri i kafenesë së famshme në New York ku gjashtë miqtë e ngushtë, Monica, Rachel, Phoebe, Ross, Chandler dhe Joey, e kalonin një pjesë të madhe të ditës. Ai po ashtu ishte i dashuruar marrëzisht në personazhin Rachel Green, dhe pavarësisht se nuk kishte ndonjë rol të madh në serial Gunther i solli publikut plot të qeshura, dhe mbetet një personazh i njohur nga adhuruesit e këtij seriali që u transmetua nga viti 1994 deri më 2004.

Menjëherë pas lajmit të vdekjes së aktorit, yjet e “Friends” i shfrytëzuan rrjetet sociale për t’i shprehur ngjushëllimet e tyre.

“Seriali ‘Fiends’ nuk do të ishte i njëjtë pa ty. Faleminderit për të qeshurat që ia solle këtij shou dhe të gjithë neve. Do të na mungosh shumë”, kishte shkruar Aniston në postimin e saj në Instagram.

James Michael Tyler nuk qe i pranishëm fizikisht në edicionin ribashkues “Friends” që zuri vend në fillim të këtij viti, por u paraqit në këtë shou special përmes videolidhjes me ‘Zoom’. Kjo ngase aktori nuk kishte dashur që ta prishë disponimin e ekipit dhe publikut duke u detyruar të flasë për sëmundjen e tij.