Vajza e yllit të hitit “Let Me Entertain You, Robbie Williams, mund të jetë vetëm 7-vjeçare, por ajo tashmë e ka dëshmuar se e ka trashëguar aftësinë e shkrimit të këngëve nga i ati.
Duke folur për fëmijët e tij në një televizion amerikan, Williams ka thënë: “Vajza ime Theodora tashmë ka filluar të shkruajë këngë. Është vërtetë fenomenale. Dhe, në të vërtetë unë po i marr meritat për tekstet e saj.”
Kjo nuk është hera e parë që këngëtari ka folur me krenari për aftësitë e jashtëzakonshme muzikore të Teddyt, deri sa në të kaluarën e kishte quajtur atë, anëtaren më të talentuar të familjes, transmeton Koha.
Theodora ndryshe e njohur me nofkën Teddy, e ka bërë një paraqitje të shkurtër në projektin e babait të saj, “Home”, këngë kjo e cila ishte pjesë e albumit “The Christmas Present”. Por duke bërë shaka, Williams kishte deklaruar se të hollat e fituara nga ky projekt ka vendosur t’i mbajë për vete, deri sa ajo të rritet mjaftueshëm për ti vetëmenaxhuar paratë e saj.
Me bashkëshorten Ayda Field, këngëtari 46-vjeçar po ashtu i ka edhe tre fëmijë të tjerë, Charlton 5-vjeçar, Coco 18-muajshe dhe foshnja e porsalindur Beau. Williams e ka pranuar se brengoset për faktin që fëmijët e tij kur të rriten, kanë mundësi të lexojnë për gjërat që ai i ka bërë në të kaluarën.
“Aktualisht ata më adhurojnë, por ata ende nuk dinë të lexojnë. Dhe, sapo të rriten dhe të kenë qasje në Wikipedia apo YouTube, ata mund të më kritikojnë për gjërat që i kam bërë në të kaluarën,” ka deklaruar tutje Williams.