Regjisori i njohur hollywoodian, Baz Luhrmann, e solli filmin e tij të fundit muzikor, “Elvis”, në Londër.
Një numër i madh i adhuruesve pritën përreth qilimit të kuq të shtruar me rastin e premierës speciale të këtij projekti, vetëm për ta takuar kastën e aktorëve të udhëhequr nga, Austin Butler, i cili e portretizon rolin kryesor në film, atë të muzikantit të ndjerë të njohur si mbreti i muzikës ‘rock and roll’, raporton agjencia e lajmeve “AP”.
Para gazetarëve, Butler tha se Elvis Presley u bë pjesë e tij gjatë përgatitjeve për xhirimet e filmit, të cilat zgjatën goxha shumë shkaku i pandemisë së koronavirusit.
“Po, mendoj se kjo ka ndodhur në shumë mënyra sepse ai ishte pjesë e jetës sime për dy vjet. Kështu që, ekzistojnë mënyra të ndryshme se si ai vazhdon të jetë me mua edhe sot, të cilat as nuk di t’i shpjegoj”.
Filmi e ndjek karrierën e ikonës së muzikës dhe vjen me narracion të menaxherit të tij famëkeq, Tom Parker, i personifikuar në film nga aktori Tom Hanks, i cili ndihmoi në shndërrimin e Presleyt në një superyll por edhe e manipuloi dhe kontrolloi atë.
Edhe
Billie Eilish vendos Manchesterin në qendër të filmit të ri 3D
“Mendoj se mesazhi kryesor që filmi e sjell është se nuk duhet lejuar që vëmendja dhe fama të ndikojnë në vetëvlerësimin tuaj. Është pikëlluese kur njerëzit të thonë se je i mrekullueshëm, dhe kjo të bënë të lumtur, e pastaj kur ata të thonë se je i tmerrshëm, t’i e lejon që kjo të ndikojë në ty dhe fillon të ndihesh keq. Në njëfarë mënyre duhet të mësosh ta kalosh këtë provë dhe ta kuptosh se çfarë është reale dhe e rëndësishme në jetën tënde. Po ashtu duhet të përpiqesh të gjesh mënyra për të qëndruar me këmbë në tokë dhe thjeshtë të jesh gjithmonë mirënjohës. Unë ndihem me fat dhe i bekuar që e bëjë punën të cilën e dua, dhe që e kam rastin të jem këtu sonte. Ndihem shumë i privilegjuar për këtë”, shtoi Butler.
Olivia DeJonge, e cila në film e luan rolin e Priscilla Presleyt, e sheh këtë si një histori paralajmëruese.
“Mendoj se tema kryesore të cilën filmi e trajton ka të bëjë me një njeri që vazhdimisht kërkon të jetë i dashur nga të tjerët, në vend se të mundohet të dhurojë dashuri. Dhe në fakt, pikërisht këtu gjenden rrënjët e vuajtjes së tij. Dhe nëse kjo histori nuk shërben si mësim për të gjithë, atëherë nuk e di çfarë tjetër mund ta bëjë këtë”.
Regjisori, Luhrmann, tha se ishte e vështirë ta realizonin filmin gjatë kohës së pandemisë dhe ndihet i privilegjuar që arritën ta finalizojnë atë. Ai po ashtu foli për faktin se si aktori Butler e solli në jetë kryepersonazhin e filmit.
Edhe
Bad Bunny me rol në filmin e ri “Porto Rico” me regji të Rene Perez Joglar
“Ishte vështir ta realizonim filmin gjatë kohës së pandemisë. Thjeshtë nuk më besohet sa shumë e duam punën që e bëjmë. Ndihemi jashtëzakonisht të privilegjuar që patëm rastin ta vazhdonim realizimin e filmit, derisa njerëzit e tjerë nuk mund të bënin asgjë. Jemi vërtetë mirënjohës për këtë fakt. Dhe ja ku jemi tani, në këtë kohë kur bota ka marrë kuptim tjetër dhe ne po e prezantojmë një projekt që e sjell anën njerëzore të Elvisit. Pikërisht këtë e ka bërë Austini me rolin e tij. E ka bërë Elvisin më njerëzor dhe më shpirtëror. Mendoj se për këtë kemi nevojë tani, që njerëzit të ndihen mirë dhe të disponuar”.
Filmi “Elvis” lansohet nëpër kinema më 24 qershor.