Aplikacioni “Fender Play” ka vënë re një rritje të konsiderueshme në mësimin e këngëve të Elvis Presleyt, pas lansimit të filmit biografik të regjisorit, Baz Luhrmann, në muajin qershor.
Gazeta “The Independent” ka bërë të ditur se numri i njerëzve që i kërkojnë këngët e mbretit të muzikës rock’n’roll, për t’i mësuar nëpërmjet platformës së mësimit të kitarës, është dyfishuar pas lansimit të filmit “Elvis”. Sipas këtij raporti, ndër këngët më të njohura të përzgjedhura nga njerëzit janë, “Jailhouse Rock”, “Heartbreak Hotel” dhe “Burning Love”.
Në një deklaratë për media të lëshuar pas publikimit të këtij shkrimi, Max Watts, nënkryetari i lartë i marketingut për aplikacionin “Fender Play”, vuri në dukje se ndikimi i vazhdueshëm i një artisti si Elvisi është i pamohueshëm.
“Muzika e tij ende i inspiron njerëzit anembanë globit, të rinj e të moshuar, që ta fillojnë rrugëtimin e tyre muzikor. Dhe ky fakt vërehet edhe me rritjen e interesimit për muzikën e tij, të cilën e kemi parë së fundmi”, deklaroi Watts.
Gjatë karrierës së tij, Elvis Presley, kryesisht kishte interpretuar në kitara akustike.
Projekti i regjisori Baz Luhrmann e ndjek karrierën e ikonës së muzikës, i cili portretizohet nga aktori i ri, Austin Butler, dhe vjen me narracion të menaxherit të tij famëkeq, Tom Parker, i personifikuar në film nga aktori Tom Hanks, i cili ndihmoi në shndërrimin e Presleyt në një superyll por edhe e manipuloi dhe kontrolloi atë. Sipas kritikëve, ky film funksionon si një mësim shumë i nevojshëm për historinë kulturore të Amerikës.
Filmi “Elvis”, i cili u realizua me një buxhet prej 85 milionë dollarësh, u publikua nëpër kinematë e Amerikës më 24 qershor. Ai shënoi suksese të kënaqshme në arkat filmike, me arkëtimin e gjithsej 251.9 milionë dollarëve.