Showbiz

Bizhuteritë e Elvis Presleyt do të vihen në ankand për shitje

Elvis Presley

Elvis Presley

Koleksione të rralla nga bota e muzikës dhe filmit, duke përfshirë unaza ari që ishin në pronësi të Elvis Presley, dhe po ashtu një letër e shkruar nga anëtari i grupit muzikor “Beach Boy”, Brian Wilson, do të dalin në ankand këtë fundjavë.

Shitja e "Artifakteve të Hollivudit dhe Muzikës" nga Kruse GWS Auctions përmban rreth 400 njësi, me artikuj gjithashtu nga Prince, Aaliyah dhe Abigail Folger, raporton Reuters.

"Ky ankand i veçantë ka disa pjesë mjaft të fuqishme për sa i përket lidhjeve emocionale për njerëzit," ka thënë drejtuesja e ankandit, Brigitte Kruse. 

Ndër kryesoret janë disa artikuj që i përkisnin Presley-t, duke përfshirë një mikrofon nga rezidenca e interpretuesit në Las Vegas, një shishe pilulash që ka të shënuar muajin mars të vitit 1977 dhe dy unaza unike ari, të cilat vlerësohet se do të shiten nga 35,000 deri në 60,000 dollarë.

Bizhuteritë në pronësi të Presley-t, i cili vdiq në gusht të vitit 1977, "po dëshmojnë të jenë ende një nga klasat më të fuqishme të aseteve në sipërfaqen e planetit”, sipas Kruse.

Një tjetër pikë kryesore është një letër e shkruar me dorë nga Wilson drejtuar shokut të bandës “Beach Boy” njëherësh kushëririt të tij, Mike Love, për të cilën Kruse ka thënë se pritet të arrijë vlerën prej  të paktën 10,000 dollarësh.