Të dielën mbrëma u mbajt edicioni i 78-të i ceremonisë së ndarjes së shpërblimeve “Globi i Artë”, të cilat i ndanë Shoqata e Gazetarëve të Huaj në Hollywood dhe që i nderojnë projektet më të mira filmike dhe televizive.
Megjithëse ngjarja sivjet u zhvillua në formatin hibrid, e kombinuar me pjesëmarrjen e disa prej yjeve të listës A në ceremoni, dhe të tjerët që u bënë pjesë e saj përmes lidhjeve direkte, megjithëkëtë në këtë edicion të ngjarjes “Globi i Artë” nuk mungonte eleganca dhe glamuri, dhe si duket publikun e kishte marrë vërtetë malli për këtë.
Të gjithë të nominuarit dhe ata të cilët i bënë të ditur fituesit në skenë, ishin veshur e rregulluar sikur për qilim të kuq, duke e bërë këtë ngjarjen e parë që e solli glamurin e hollywoodit nga shpërthimi i pandemisë.
Risi pati edhe në listën e fituesve sivjet me ç’rast, Chloe Zhao, arriti të bëhet regjisorja e dytë në historinë e kësaj ceremonie e cila u nderua në kategorinë “Regjisori më i mirë”, në të njëjtin vit kur në këtë listë përfshiheshin gjithsej tri regjisore. Ajo po ashtu u bë regjisorja e parë aziatiko-amerikane që triumfon në këtë kategori. Zhao u nderua për punën e mrekullueshme në filmin “Nomadland”, i cili u shpall fitues edhe i kategorisë “Filmi më i mirë dramë”.
Sa i përket kategorisë “Aktorja përkatësisht aktori më i mirë në film dramë”, sivjet arritën të triumfojnë, Andra Day për rolin e saj në filmin biografik “The United States vs. Billie Holiday”, dhe aktori i ndjerë Chadwick Boseman i cili u nderua postmortum për performancën e shkëlqyer në filmin “Ma Rainey’s Black Bottom”.
Në kategorinë “Filmi më i mirë komedi” triumfoi filmi “Borat Subsequent Moviefilm”, derisa protagonisti dhe krijuesi i këtij projekti, Sacha Baron Cohen, po ashtu arriti ta rrëmbej shpërblimin “Aktori më i mirë në komedi dhe mjuzikëll”. Ndërsa, Rosamund Pike u shpall “Aktorja më e mirë në komedi dhe mjuzikëll”, për rolin e saj në filmin “I Care A Lot”.
Sivjet filmi më i mirë i animuar u shpall “Soul”, kurse në kategorinë “Filmi më i mirë në gjuhë të huaj” triumfoi projekti “Minari”.
Sa i përket fituesve të shpërblimit “Globi Artë” në kategoritë për televizion, gjatë mbrëmjes u nderuan serialet, “The Crown” që e fitoi çmimin “Seriali më i mirë dramë” dhe “Schitt’s Creek”, që u shpall “Seriali më i mirë komedi dhe mjuzikëll”.
Aktori Josh O’Connor u shpall “Aktori më i mirë në dramë” për rolin e tij në “The Crown”, dhe kolegia e tij në këtë serial, Emma Corrin, u nderua më çmimin “Aktorja më e mirë në dramë”.
Sa i përket fituesve të kategorisë “Aktori përkatësisht aktorja më e mirë në komedi”, këtë vit triumfuan yjet, Jason Sudekis me rolin në “Ted Lasso” dhe Catherine O’Hara me performancën e saj në “Schitt’s Creek”.
“The Queen’s Gammbit” triumfoi në kategorinë “Seriali më i mirë i limituar” dhe protagonistja e këtij projekti shumë të pëlqyer të Neflixit, Anya Taylor-Joy, u shpall aktorja më e mirë në serial të limituar.
Ceremonia u karakterizua edhe më momente tjera interesante. Këtë vit skenaristi dhe producenti veteran, Norman Lear, e pranoi shpërblimin për arritje jetësore, “Carol Burnett Award”, kurse aktorja dhe aktivistja e famshme hollywoodiane, Jane Fonda, u nderua me çmimin special “Cecil B. De Mille Award”, i cili e vlerëson kontributin e saj në industrinë e filmit dhe televizionit.
Edicionin e 78-të të ceremonisë së përvitshme “Globi Artë”, për të katërtën herë e prezantuan aktoret komike, Tina Fey dhe Amy Poehler, të cilat bënë thirrje për barazi racore në industrinë e filmit dhe televizionit në përgjithësi.
Ngjarja e cila zakonisht e fillon sezonin e shpërblimeve në Hollywood, u transmetua direkt në kanalin “NBC”.