Kulturë

“Nomadland” dhe “Borat” – fitues në “Golden Globes” të zbehur nga pandemia

Aktorët afroamerikanë fituan një sërë trofesh, teksa ata kanë përnjohur nevojën për diversifikim të mëtejshëm. “Nomadland” dhe “Borat” kishin natën e tyre, ashtu sikurse edhe “Schitt’s Creek” dhe “The Crown”. Derisa “Netflix” ia doli të rrëmbente 10 trofe, ceremonia e sivjetme, e tëra online, kaloi mes problemeve teknike dhe thirrjeve për diversitet

Drama e përshpirtshme “Nomadland” dhe komedia “Borat Subsequent Moviefilm” kanë rrëmbyer të dielën çmimet kryesore të filmit në edicionin e 78-të të “Golden Globe Awards”.

E gjitha ka kaluar në një ceremoni tërësisht virtuale me dy bashkë-nikoqiret Tina Fey dhe Amy Poegler. Ndryshe nga edicionet e kaluara, kësaj radhe ato ishin largas njëra-tjetrës: Fey ishte në New York dhe Poefler në Los Angeles.

Regjisorja e “Nomadland”, Chloé Zhao, u bë e dyta femër që fiton çmimin e regjisë – gati 40 vjet pasi Barbra Streisand ishte laureuar për filmin “Yentl”. Zhao, që është kinezo-amerikane, është gruaja e parë afro-amerikane që ngadhënjen në këtë kategori.

Në fjalimin e rastit nga një lokacion i largët, Zhao e ka përshkruar filmin si “pelegrinazh mes pikëllimit dhe shërimit”.

“Për secilin që ka kaluar nëpërmjet këtij udhëtimi të vështirë dhe të bukur në një pikë të jetës së tyre. Ne nuk themi lamtumirë. Ne themi: shihemi poshtë rrugës”, ka shtuar Zhao.

“Borat”, një vazhdues poterëmadh i kultit klasik të kohës së Bushit, ngadhënjeu në kategorinë e muzikalit më të mirë dhe atë të filmit më të mirë komedi. Ylli i filmit, Sacha Baron Cohen, fitoi çmimin e aktorit më të mirë për komedi dhe me shaka ia dedikoi çmimin Rudy Giulianit, një prej caqeve të rrengjeve të tij.

Ai e ka quajtur ish-bashkiakun e New Yorkut “një talent i ri taze që erdhi nga askundi dhe u bë një gjeni komedish”.

Në një nga çastet më drithëruese të mbrëmjes, e shoqja e Chadwick Bosemanit pranoi çmimin post mortem për aktorin më të mirë në filmin dramë “Ma Rainey’s Black Bottom”, gjashtë muaj pas vdekjes së tij në moshën 43-vjeçare.

“Ai do ta falënderonte Zotin. Ai do t’i falënderonte prindërit e tij. Ai do t’i falënderonte të parët e tij për udhëzimin e për sakrificat e tyre”, ka thënë Taylor Simone Ledward teksa përpiqej t’i mbante lotët.

“Netflix”, që shkoi në “Globes” me gjithsej 42 nominime, ka mbizotëruar kategoritë televizive.

Saga rojale “The Crown” fitoi për seritë më të mira dramë, ashtu sikundër edhe çmimet për aktrim për Josh O’Connor (Princi Charles), Emma Cortin (Princesha Diana) dhe Gillian Anderson (Margaret Thatcher).

Gjigandi i streamingut “The Queen’s Gambit” ka fituar për seritë më të mira të kufizuara dhe për aktoren më të mirë në atë kategori për yllin në ngritje Anya Taylor-Joy.

“Schitt’s Creek”, seriali i këndshëm kanadez që e rriti audiencën e vet amerikane në “Netflix”, fitoi kategorinë e serialeve më të mira komedi për sezonin e saj të fundmë. Komedianja veterane Catherine O’Hara ka fituar çmimin e aktores më të mirë në serialet komedi.

Jason Sudeikis, që fitoi çmimin e aktorit më të mirë në një komedi televizive për rolin e tij në hitin e Apple Tv Plus “Ted Lasso”, ka përqafuar shpirtin relativisht jozyrtar të ngjarjes virtuale.

Kriza e koronavirusit shtrëngoi producentët e “Golden Globes” të kalonin në një telekast tërësisht virtual, ku të nominuarit shfaqeshin nga shtëpitë e tyre ose në dhoma hotelesh nëpërmjet Zoomit.

Në ceremoni pranuan çmime edhe dy figura mjaft frymëzuese të industrisë së argëtimit. Norman Lear, krijuesi i komedive si “All in the Family”, pranoi çmimin “Carol Burnett”, që mban emrin e komedianes së njohur. Kurse Jane Fonda, aktore pioniere dhe aktiviste, ka pranuar çmimin “Cecil B. DeMille”.

Në një fjalim emocional, Fonda i ka kushtuar rëndësi fuqisë së filmit për të farkëtuar empati, ndërkohë që i bëri thirrje Hollywoodit për të bërë më shumë për diversitetin në ekran, prapa kamerave, si dhe në dhomat e bordeve.

Edicioni i sivjetshëm i “Golden Globe Awards” u godit jo pak prej pengesave teknike, ashtu siç ndodhi me fituesin Daniel Kaluuya, zëri i të cilit nuk mund të dëgjohej.

Për gazetarë e njohës të këtij eventi, edicioni i tashëm tregoi në një tjetër mënyrë që “yjet janë posi ne”. “Edhe ata rrinë ulur në shtëpi, pinë gjatë telekonferencave dhe përballen me probleme teknike”, shkruan “New York Times” në një koment të saj.

Fill pasi Laura Dern e shpalli Daniel Kaluuya si aktorin më të mirë mbështetës, fituesi i parë i mbrëmjes u shfaq në ekran dhe nisi të fliste. Por zëri i tij mungonte. Producentet e hoqën dhe Derni kërkoi falje. Në sekondën e fundit Kaluuya u rishfaq duke thënë: “Po ma punon keq! A është duke punuar kjo?”.

Në një vlerësim të botuar në “New York Times”, kritiku James Poniewozik është ndalur edhe tek detajet e ceremonisë që ishin me domethënie.

“Fakti që fituesi zezak i të parit çmim nuk u dëgjua pa dashje, ngërthen në vete dy sprova për këtë ‘Globes’ të kohëve të trazuara: telashet e produksionit për të vënë një show në mes të një pandemie globale dhe mungesa e artistëve zezakë mes të nominuarve, ashtu sikundër edhe gazetarëve zezakë te trupa që ndan çmime”, ka shkruar Poniewozik.

E pazakonta nisi qysh përpara ceremonisë. “E!” dhe NBC mbajtën spektaklet fillestare të tepihut të kuq, ani pse nuk kishte tepih të tillë.

E nominuara për regjisoren më të mirë, Regina King, në një fustan shkëlqyes me ngjyrë hiri, kishte pas edhe qenin e saj.

Kishte edhe disa përfitime në galerinë virtuale të yjeve. Askujt nuk iu desh të sorollatej në podium nga pjesa e prapme e sallës së ballos.

E, megjithatë, kjo ishte gjithçka që mund të bëhej për “Globes” në këto rrethana. Mënyra sesi i adresuan përfoljet e fundit për “Hollywood Foreign Press Association” (H.F.P.A.) përbën një çështje krejt tjetër.

“Globes”, që zakonisht kalojnë qetë, sivjet ishin subjekt lajmesh serioze për arsye jo të pakta. Në dritën e debateve mbi diversitetin, një hetim i bërë së voni nga “Los Angeles Times” mbi H.F.P.A zbuloi praktika që gëlonin nga korrupsioni, përfshirë edhe anëtarë që kanë pranuar qëndrime në hotele me pesë yje për të vizituar setin e filmit “Emily in Paris”.

“Arsyeja pse ‘Globes’ vazhdon është se ato janë bërë një show i vlefshëm televiziv, duke sjellë një armatë yjesh në një çati me një lubrifikant social të atyre që çohen peshë. Spektakli i sivjetmë dëshmoi çfarë kanë ‘Globes’ kur ia heq këto: jo edhe shumë”, shkruan, ndër të tjera, Poniewozik.

Ndryshe, çmimet “Golden Globe” janë vlerësime që ndahen nga 87 anëtarë të Hollywood Foreign Press Association që prej janarit të vitit 1944, duke vlerësuar ekselencën në filma amerikanë e ndërkombëtarë. Ceremonia e përvitshme normalisht mbahet çdo janar dhe përbën një nga ngjarjet kryesore të industrisë së filmit, krahas “Academy Awards”.

Tentimi pa sukses i Kosovës me “Exil”

Filmi “Exil” i regjisorit Visar Morina është kthyer duarthatë nga ceremonia vjetore e ndarjes së çmimeve. Si përfaqësim i Kosovës, ky film, në kategorinë e filmave të huaj, ishte në mesin e 139 filmave të huaj nga gjithsej 77 vende.

Në fillim të këtij viti, Qendra Kinematografike e Kosovës kishte njoftuar se projekti kineast i Morinës do të ishte kandidatura e Kosovës për “Golden Globes”.

E në ceremoninë e “Golden Globes”, në kategorinë e filmave më të mirë të huaj fitues ishin: “Another Round” nën regjinë e Thomas Vintergerbit (Danimarkë); “La Llorona” i Jayro Bustamante (Guatemalë, Francë); “The Life Ahead” i Edoardo Pontit (Itali); “Minari” i Lee Isaac Chung (ShBA) dhe “Two of Us” i Filippo Meneghettit (Francë).

Ndryshe, “Exil” vjet e pati premierën botërore në “Sundance Film Festilval”, si dhe atë evropiane në “Berlinale”. Është fitues i “Zemrës së Sarajevës”, çmimi kryesor në Festivalin e Filmit në Bosnjë.

Në faqen zyrtare të “Golden Globes”, regjisori Morina citohet të ketë thënë se filmi është autobiografik dhe bën fjalë për kohën kur ai si fëmijë emigroi në Gjermani.

“Racizmi, integrimi, të qenit i huaj, asimilimi, ngacmimi e përjashtimi – të gjitha këto çështje janë psikologjikisht dhe emocionalisht komplekse në terma të komunikimit”, thuhet në përshkrimin e GGA-së.

Filmi “Exil” është bashkëprodhim në mes Gjermanisë, Kosovës dhe Belgjikës, prodhuar nga “Komplizen Film” – Gjermani, “Ikonë Studio” – Kosovë dhe “Frakas” nga Belgjika.

Çdo vit, Hollywood Foreign Press Association ndan “Golden Globe” në kategorinë e filmave në gjuhë të huaj. Që të kualifikohet, filmi kandidat duhet të jetë dramë, mjuzikëll apo komedi me të paktën 51 për qind të dialogut të folur në gjuhë joangleze.

“news.sky”, “nytimes”, “bbc”, “nbcnews”, “hollywoodreporter”. Përgatiti: Salih Mehmeti