Showbiz

U ndanë çmimet “Globi i Artë” pa ndonjë ceremoni glamuroze

Në një vit të zakonshëm, ceremonia e ndarjes së shpërblimeve “Globi i Artë” shërben si standardi i artë për një natë argëtuese. Por, ky nuk del të jetë një vit i zakonshëm për ngjarjen e famshme të Hollywoodit.

Edhe pse ceremonia e famshme e cila dikur identifikohej me qilimin glamuroz dhe mbrëmjen e mbushur me yje, është duke kaluar nëpër një periudhë testuese teksa Shoqata e Gazetarëve të Huaj po punon në rregullimin e reputacionit, sërish talenti në film dhe televizion nuk kishte si të mos vlerësohej edhe këtë vit.

Në një prezantim të tonifikuar dhe të patransmetuar live, të dielën mbrëma u shpallën fituesit e çmimeve të sivjetme “Globi i Artë”.

“Seriali më i mirë dramë” u shpall “Succession” derisa në kategorinë “Seriali më i mirë komedi dhe mjuzikëll”, triumfoi shou “Hacks”.

Me çmimin “Aktori përkatësish aktorja më e mirë në dramë” u nderuan, Jeremy Strong për rolin e tij në “Succession” dhe Mj Rodriguez për rolin në shoun “Pose”. Kurse me çmimet “Aktori dhe aktorja më e mirë në komedi” u nderuan yjet, Jason Sudeikis për portretizimin e protagonistit në serialin “Ted Lasso” dhe Jean Smart, për rolin e saj në shoun “Hacks”.

Sa i përket kategorive për film, me çmimin “Komedia dhe mjuziklli më i mirë” sivjet u nderua filmi “West Side Story”. Çmimin “Drama më e mirë” e fitoi filmi “The Power of the Dog”, kurse “Filmi më i mirë i huaj” u shpall projekti kinematografik nga Japonia, “Drive My Car”.

“Aktori më i mirë në dramë” u shpall Will Smith për rolin e tij në filmin biografik “King Richard”, dhe Nicole Kidman u nderua për rolin e saj po ashtu në filmin biografik, “Being the Ricardos”, duke u shpallur “Aktorja më e mirë në dramë”.

Në kategoritë për “Aktorin përkatësisht aktoren më të mirë në komedi dhe mjuzikëll” sivjet triumfuan yjet, Andrew Garfield me filmin “Tick, Tick ... Boom!” dhe Rachel Zegler me “West Side Story”.

Në kategorinë “Regjisori më i mirë” triumfoi një grua. Ajo është Jane Campion e cila u vlerësua për punën e jashtëzakonshme në filmin “The Power of the Dog”.

“Filmi më i mirë i animuar” u shpall “Encanto”, kurse Billie Eilish dhe Finneas O’Connell u nderuan më çmimin “Kënga më e mirë origjinale” për krijimin e kolonës zanore të filmit të fundit me James Bondin, “No Time to Die”.