Presidenti amerikan, Donald Trump ka sulmuar ashpër ceremoninë e ndarjes së çmimeve “Grammy 2026” dhe prezantuesin, Trevor Noah, duke e kërcënuar publikisht me padi pas një shakaje që komediani bëri gjatë transmetimit live.
Pas përfundimit të ceremonisë, Trumpi ka shkruar në platformën Truth Social se “Grammyt” ishin “më të këqijat ndonjëherë” dhe “pothuajse të pashikueshme”, ka raportuar The Hollywood Reporter
“Grammy Awards janë më të KËQIJAT, praktikisht të pashikueshme. CBS është me fat që nuk e transmeton më këtë mbeturinë”, ka shkruar ai.

Më pas, Trumpi u përqendrua te Trevor Noah, duke e krahasuar me komedianin Jimmy Kimmel dhe duke reaguar ndaj një shakaje që Noah bëri pasi këngëtarja Billie Eilish fitoi çmimin “Kënga e Vitit”.
“Prezantuesi, Trevor Noah, kushdo qoftë ai, është pothuajse po aq i keq sa Jimmy Kimmel në ‘Oscars’ me shikueshmëri të ulët”, ka shkruar Trump.
Shakaja e Noahs lidhej me ish-financierin Jeffrey Epstein dhe akuzat e vjetra ndaj figurave politike.
“Urime Billie Eilish për këngën e vitit. Është çmimi që çdo artist dëshiron, pothuajse aq sa Trumpi dëshiron Grenlandën. Që ka kuptim, sepse që kur Epstein nuk është më, i duhet një ishull i ri për të kaluar kohë me Bill Clintonin. Ju thashë, është viti im i fundit, çfarë do të bëni për këtë?”, kishte thënë Noah gjatë ceremonisë.
Trumpi e quajti këtë deklaratë “të rreme dhe shpifëse”, duke mohuar kategorikisht çdo lidhje me Virgin Island, ku pretendohet se Epstein ka kryer veprimtarinë e tij.
“Noah tha, GABIMISHT, se Donald Trump dhe Bill Clinton kanë kaluar kohë në këtë ishull. GABIM! Unë kurrë nuk kam qenë atje, as afër, dhe para kësaj deklarate të rreme nuk jam akuzuar kurrë për një gjë të tillë”, ka shkruar Trump.
Ai ka shtuar se do të ndërmarrë veprime ligjore ndaj Noahs.
“Po i dërgoj avokatët e mi për ta paditur këtë prezantues të mjerë, pa talent. Përgatitu Noah, do të argëtohem pak me ty”, ka shkruar Trump, duke e mbyllur postimin me nënshkrimin “President DJT”.
Ceremonia “Grammy” 2026 u shoqërua edhe me mesazhe të forta politike nga disa artistë.
Në tepihun e kuq, yje si Billie Eilish, Justin dhe Hailey Bieber, Finneas dhe Kehlani u shfaqën me pina “ICE Out”, në shenjë proteste kundër politikave të emigracionit dhe veprimeve të agjentëve federalë.
Billie Eilish, gjatë fjalimit të saj pasi fitoi çmimin “Kënga e Vitit”, foli hapur për emigracionin.
“Askush nuk është i paligjshëm në tokë të vjedhur. Është shumë e vështirë të dish çfarë të thuash dhe çfarë të bësh tani, por ndihem shpresëplotë në këtë sallë. Zërat tanë kanë rëndësi. Njerëzit kanë rëndësi. F*** ICE”, ka thënë ajo, fjalë që u censuruan gjatë transmetimit televiziv.
Edhe artisti latin, Bad Bunny, i cili fitoi çmimin kryesor “Albumi i Vitit në kategorinë Latine” me albumin e parë në spanjisht që arrin këtë sukses, foli kundër ICE në fjalimin e tij.
“Para se ta falënderoj Zotin, po them: ICE out. Ne nuk jemi kafshë, nuk jemi alienë, jemi njerëz dhe jemi amerikanë. Urrejtja nuk mposhtet me më shumë urrejtje, por me dashuri”, ka thënë ylli.