Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Tom Sizemore në gjendje kome, mjekët pa shpresa për rikuperim

Një javë pasi Tom Sizemore pësoi aneurizëm të trurit, zëdhënësi i tij ka njoftuar se familja e aktorit është këshilluar nga mjekët që të bëhen gati për t’i dhënë fund jetës së tij.

“Sot mjekët e informuan familjen që nuk ka më shpresë të përmirësimit të gjendjes shëndetësore të Tomit, dhe i rekomanduan t’i japin fund jetës së tij”, tha menaxheri i aktorit, Charles Lago, përmes një komunikate për media.

Sizemore u rrëzua në mëngjesin e 18 shkurtit në shtëpinë e tij në Los Angeles, dhe që atëherë është shtruar në spital duke qëndruar në gjendje kritike, në koma dhe në kujdes intensiv. Aneurizma e trurit ishte rezultat i një goditjeje çka edhe e shkaktoi aksidentin në fjalë, thuhet në deklaratën e Lagos.

61-vjeçari Tom Sizemore gjatë karrierës së tij filmike ke luajtur në projekte të tilla si, “Saving Private Ryan”, “Heat” dhe “Black Hawk Down”. Ndërsa ai mori vlerësime për aktrimin, karriera e tij nuk kaloi pa disa skandale, si një morie arrestimesh për abuzimin me drogën dhe përplasjet me zbatimin e ligjit, duke përfshirë dhunën në familje dhe akuzat për abuzim. Në vitin 2003, ai u dënua për dhunë në familje kundër ish të dashurës së tij, Heidi Fleiss. Në vitin 2017, një grua e akuzoi aktorin për abuzim seksual kur ajo ishte vetëm 11-vjeçare, ngjarje që supozohej të ketë ndodhur gjatë xhirimeve të filmit “Born Killers”. Por, asnjëherë nuk u ngrehën padi rreth këtij rasti.

Sizemore është baba i djemve binjakë të moshës 17-vjeçare.