Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Tina Turner e ka shitur katalogun muzikor për një shumë marramendëse

Foto: AP/Associated Press

Ikona e muzikës, Tina Turner, ia ka shitur të drejtat e katalogut të saj, kompanisë së njohur muzikore “BMG”, për një shumë prej 50 milionë dollarëve.

Yll i hitit “Simply the Best” e ka bërë të ditur lajmin e marrëveshjes së re të arritur me kompaninë gjigante, çka do të thotë se puna jetësore e legjendës së muzikës tani është në duart “BMG”, derisa “Warner Music” vazhdon të jetë studioja incizuese me të cilën Turner do të bashkëpunojë.

Në një deklaratë për media, këngëtarja 81-vjeçare tha: “Si për çdo artist, mbrojtja e veprave të mia jetësore dhe trashëgimisë sime muzikore, është diçka personale. Kam besim se me kompaninë ‘BMG’ dhe studion incizuese ‘Warner Music’, puna ime është në duar profesionale dhe të besueshme”.

Shefi ekzekutiv i kompanisë muzikore “BMG”, Hartwig Masuch deklaroi: “Jemi të nderuar që po e marrin përsipër punën e menaxhimit të interesave muzikore dhe komerciale të Tina Turnerit. Është një përgjegjësi të cilën e marrim shumë seriozisht dhe do ta kryejmë me shumë përkushtim dhe kujdes. Ajo është me të vërtetë më e mira”.

Kjo po konsiderohet si blerja më e madhe e punës artistike në historinë e muzikës.

Edhe “Tina” dokumentari për jetën e këngëtares Tina Turner, lansohet në muajin mars Showbiz “Tina” dokumentari për jetën e këngëtares Tina Turner, lansohet në muajin mars

Tani, “BMG” i zotëron të drejtat e emrit së saj, imazhit, marrëveshjeve komerciale dhe shumë më shumë.

Mbretëresha e muzikës Rock ‘n’ Roll, pas shkurorëzimit të nga bashkëshorti, Ike Turner, në vitin 1978, me të cilin e kishte krijuar edhe grupin muzikor “Ike & Tina Turner”, e bëri rikthimin më të mirë në historinë e muzikës duke e lansuar hitin, “What’s Love Got to Do With It”. Kjo ishte kënga e saj e parë e cila u pozicionua në vendin e parë të toplistës së 100 këngëve më të mira, “Billboard”, në vitin 1984.

Gjatë kohës sa ishte pjesë e grupit “Ike & Tina Turner”, nga viti 1960 deri më 1975, ajo i kishte realizuar 20 këngë të cilat shënuan suksese të mira në toplistën e 100 këngëve më të mira. Ndërsa si solo këngëtare, ajo i lansoi 40 hite të cilat i pozicionuan në maje të kësaj topliste, përfshirë këtu këngën “What’s Love Got to Do With It”.

Ky hit muzikor, në vitin 1985 ia pati fituar Turnerit 3 shpërblime të rëndësishme “Grammy”, në kategoritë të tilla si: “Kënga më e mirë e vitit”, “Incizimi më i mirë” dhe “Performanca më e mirë pop”. “What’s Love Got To Do With It” ishte pjesë e albumit “Private Dancer” të Tina Turnerit, dhe njihet si një prej këngëve të saja më të pëlqyera. Fillimisht, kënga i ishte ofruar këngëtarëve, Cliff Richard, Donna Summer dhe Bucks Fizz, para se Turner ta incizonte atë. Ndërkaq në vitin 1993, emri i këngës ishte shfrytëzuar si titull i filmit biografik të këngëtares së famshme amerikane.

Edhe Britney Spears shet të drejtat e të gjithë katalogut të saj muzikor për rreth 200 milionë dollarë Showbiz Britney Spears shet të drejtat e të gjithë katalogut të saj muzikor për rreth 200 milionë dollarë

Gjatë karrierës së saj të bujshme në muzikë, Turner i ka shitur më shumë se 100 milionë albume, i ka fituar tetë shpërblime “Grammy” dhe një çmim special i cili i nderon arritjet e saj në muzikë.

Këngëtarja 81-vjeçare kishte dalë në pension menjëherë pas përfundimit të turneut, “Tina! 50th Anniversary Tour”, i cili u përmbyll në vitit 2009, dhe nga atëherë është shfaqur në publik vetëm me rastin e ngjarjeve të caktuara.