Showbiz

“The Wizard of the Kremlin”, filmi i ri që tregon si lindi Rusia e Putinit

Jude Law në rolin e presidentit rus Vladimir Putin

Jude Law në rolin e presidentit rus Vladimir Putin.

Në Festivalin e Filmit në Venecia u shfaq premiera e filmit të ri të regjisorit Olivier Assayas, “The Wizard of the Kremlin”, (Magjistari i Kremlinit) me aktorin Jude Law në rolin e presidentit rus Vladimir Putin.

Por ata që presin të shohin aktorin britanik duke shpërthyer në zemërim, siç bëri kur luajti Henry VIII në filmin “Firebrand”  në vitin 2023, BBC ka shkruar se mund të zhgënjehen.

Sipas këtij mediumi, Law e portretizon Putinin si figurë të qetë e të përmbajtur, madje as nuk është personazhi kryesor i filmit.

Ky film, i bazuar në romanin bestseller të vitit 2022 të Giuliano da Empoli, fokusohet te Vadim Baranov (i luajtur nga Paul Dano), një figurë fiktive e frymëzuar nga këshilltari i dikurshëm i Putinit, Vladislav Surkov. Në këtë aspekt, “The Wizard of the Kremlin” krahasohet me romanet “Wolf Hall” të Hilary Mantel: më shumë për strategun pas fronit, sesa për vetë sundimtarin.

Baranov, një ish-student arti që ëndërronte të bëhej regjisor teatri, i tregon një akademiku amerikan (rolin e të cilit e luan Jeffrey Wright) se si pas rënies së komunizmit në fillim të viteve ’90, ai u përfshi në televizione dhe filloi të prodhonte emisione argëtuese për masat. Pikërisht aty bie në sy nga oligarku Boris Berezovsky (luajtur nga Will Keen), i cili e angazhon në fushatën për rizgjedhjen e Boris Yeltsin.

VIDEO - TRAILER:

Një nga “truket” ishte që presidentin, i cili mezi mbahej në këmbë, ta lidhnin në karrige që të dukej më i fortë, dhe mbi fjalimin e tij të turbullt të dublohej zëri i fjalimeve të vjetra. Berezovsky dhe Baranov e kuptojnë se në politikë, “pamja shpesh vlen më shumë se realiteti”.

Pasi Yeltsin rizgjidhet, Berezovsky mendon se epoka e tij po mbyllet dhe se populli rus nuk kërkon më politikanë me statistika, por një “burrë të fortë”. Ai sheh te një zyrtar i panjohur, Vladimir Vladimirovich Putin, njeriun e duhur për të marrë pushtetin.

“Nuk është ndonjë shkencëtar raketash, por do të bëjë punë për tani”, thotë oligarku.

Por gabimi i tij është se beson që Putini do të vazhdojë ta dëgjojë edhe pasi të marrë pushtetin. Në fakt, ai përfundon i përjashtuar nga Kremlini dhe më pas i dëbuar nga vendi. Ndërkohë, Baranov arrin të përshtatet, duke përdorur përvojën e tij në teatër dhe televizion për të manipuluar opinionin publik.

Doktrina e tij është e thjeshtë: rëndësi ka dukja, jo realiteti.

Sipas metodologjisë, pushteti funksionon duke organizuar ngjarje publike të bujshme dhe ‘kitch’, sepse ato tërheqin masën. 
Të lihen të flasin kundërshtarët me të zëshëm, sepse me sjelljen e tyre vetëm e rrisin autoritetin e pushtetarit.
Të vidhet gjuha anti-sistem e protestuesve dhe të përdoret për përkrahësit e pushtetit, kështu mbështetja për të do të duket si rebelim. 
Nuk ka nevojë të shpërndahet propagandë pro-ruse online, mjafton të krijohet mjaftueshëm konfuzion që njerëzit të mos dinë çka është e vërtetë. 
Dhe nëse një televizion e kritikon pushtetin, thjesht të merret nën kontroll ai stacion.

Filmi është po aq i matur dhe metodik sa edhe personazhi kryesor i tij, prandaj nuk pritet të bëhet hit i madh. Por, sipas kritikëve, ja vlen të shihet për këdo që dëshiron të kuptojë si erdhi Putini në pushtet dhe si arriti ta mbajë atë.

Olivier Assayas e ka përshkruar projektin në një intervistë për “Variety” javën e kaluar.

“Nuk është thjesht për lindjen e Rusisë së sotme, por për lindjen e botës së sotme”, ka thënë ai.