Showbiz

Taika Waititi po e shkruan skenarin e “Star Wars”

Regjisori 47-vjeçar, Taika Waititi, i ka përditësuar fansat rreth filmit të ardhshëm, “Star Wars”, duke e konfirmuar se skenari i tij është në zhvillim e sipër. Ai thotë se e ka një ide shumë të mirë për këtë projekt, por ende po përpiqet t’i bëjë bashkë të gjitha detajet.

Duke folur për “The Hollywood Reporter”, Taika tha: “Me këtë projekt kam rastin ta sjell stilin tim autentik të filmbërjes. Për momentin është shumë herët, sepse ende nuk e kam përfunduar as skenarin. Jam ende duke u përpjekur të krijoj ide dhe jam kryesisht në atë pjesë të procesit ku është gjithçka është ende shumë e hapur. Dhe kur shkruaj, shkruaj çdo ide që kam pasur ndonjëherë dhe më pas filloj të dal në diçka përfundimtare”.

Përveç skenarit dhe regjisë së filmit, revista “Variety” raportoi se ka mundësi që Waititi të angazhohet edhe si aktorë me një rol të vogël. Po ashtu besohet se i gjithë projekti do të finalizohet për vitin 2025.

Regjisori, skenaristi dhe aktori nga Zelanda e Re, njëherësh bashkëshorti i yllit të muzikës pop, Rita Ora, shpjegoi se “pjesa e mesme” e filmit është elementi më sfidues i krijimit.

Kujtojmë se ai e ka bërë regjinë dhe skenarin e disa projekteve të suksesshme kinematografike, për çka edhe është shpërblyer me çmime prestigjioze si, “Oscar”, “Bafta” dhe “Grammy”.

Disa prej filmave të Waititit më të njohur nga publiku mbarëbotëror janë: “The Suicide Squad”, “Free Guy”, “Thor: Ragnarok” dhe “Thor: Love and Thunder”, “Jojo Rabbit” dhe të tjerë.