Showbiz

Stallone fton kampionin e boksit në filmin “Expendables”

Aktori veteran i filmave aksion, Sylvester Stallone, i ka ofruar një rol boksierit të njohur britanik, Tyson Fury, për pjesën më të re të filmit “The Expendables”.

Legjenda e filmit klasik “Rocky” ishte i mahnitur me duelin e britanikut përballë Deontay Wilder. Përballjen e tyre e cilësoi si “Duel i shekullit” dhe “Dramë e madhe”.

“Fitorja nuk ka mundur t’i ndodhte një djali më të mirë”, ka thënë aktori në videomesazhin e dërguar për Furyn dhe fitoren e tij.

“Mendoj se ke karrierë fantastike në filma. Pra, “Expendables” i ri? Punë e kryer”, ka shtuar Stallone.

Aktori i njohur me nofkën “Sly” ka punuar në pjesën e katërt të filmit “The Expendables” dhe do të luajë përkrah yjeve, si: Jason Statham, Dolph Lundgren, Megan Fox dhe Andy Garcia.

Ikona e Hollywoodit ka konfirmuar se pas pjesës së katërt do të largohet nga seria. Është shprehur i lumtur se rolin e udhëheqësit ia ka dhënë aktorit britanik, Statham.

“Expendables i fundit për mua. Sot ishte dita e fundit e xhirimeve... po kthehemi në shtëpi”, ka shkruar aktori në rrjetin social “Instagram”.

“E kam dashur dhe është diçka e bukur, sidomos kur je i lidhur për 12 vjet me të”, ka shtuar ai.

“Jam gati t’ia kaloj shkopin Jasonit dhe duarve të tij të fuqishme”, ka rrëfyer Stallone.