Showbiz

“Sony” blen shumicën e aksioneve të “Peanuts”

“Peanuts”

“Peanuts”

Foto: Associated Press

Gjigandi “Sony” ka blerë një shumicën e të drejtave të markës ikonike “Peanuts”, në një marrëveshje me vlerë rreth 460 milionë dollarë. Kjo do të thotë se personazhe të dashur të filmit vizatimor si Charlie Brown dhe Snoopy do të jenë tani kryesisht nën ombrellën e “Sonyt”.

Në këtë marrëveshje të arritur këtë muaj, “Sony Pictures Entertainment” dhe “Sony Music Entertainment Japan” kanë blerë pjesën që mbahej nga kompania kanadeze “WildBrain” në “Peanuts Holding LLC”, kompania që kontrollon të drejtat intelektuale të krijuara nga Charles M. Schulz, ka raportuar The Hollywood Reporter.

“Sony” ka blerë të gjithë pjesën prej rreth 41 për qind që i përkiste “WildBrainit”. Me këtë blerje, “Sony”, që edhe më herët kishte aksione në këtë kompani, tashmë zotëron 80 për qind të “Peanuts Holdings”. Ndërkohë, familja Schulz do të vazhdojë të mbajë 20 për qind të aksioneve.

“Që nga viti 2018, ‘SMEJ’ ka qenë krenare të jetë pjesë e partneritetit pas ‘Peanuts’, markë globale ikonike argëtimi me një histori 75-vjeçare që ka gëzuar publikun në mbarë botën”, ka thënë presidenti dhe drejtori ekzekutive i “Sony Music Entertainment Japan”, Shunsuke Muramatsu.

Ai ka shtuar se me këtë rritje të pjesëmarrjes së tyre në pronësi, janë shumë të entuziazmuar që do të rrisin më tej vlerën e markës “Peanuts”, duke shfrytëzuar rrjetin global të “Sony Group” dhe përvojën e përbashkët të saj.

Muramatsu ka theksuar gjithashtu përkushtimin ndaj trashëgimisë së krijuesit të saj.

“Jemi thellësisht të përkushtuar për të çuar përpara trashëgiminë e Charles Schulz dhe të familjes Schulz. Së bashku me ‘Sony Pictures Entertainment’, dhe me partneritetin e vazhdueshëm të WildBrainit, do të vazhdojmë të krijojmë mundësi të reja për ta mbajtur ‘Peanutsin’ të dashur dhe të rëndësishëm për brezat e ardhshëm”, ka thënë tutje ai.

Edhe presidenti dhe drejtori ekzekutiv i “Sony Pictures”, Ravi Ahuja, ka folur për rëndësinë e kësaj marrëveshjeje.

“Me forcat tona të bashkuara, kemi një mundësi unike për të mbrojtur dhe formuar të ardhmen e këtyre personazheve të dashur për shumë breza”, ka thënë Ahuja.

“Peanuts” u shndërrua në një institucion amerikan gjatë shekullit XX, falë stripit të përditshëm komik që u botua për 50 vjet, deri në vdekjen e krijuesit Charles M. Schulz në vitin 2000.

Popullariteti i tij u zgjerua edhe përtej faqeve të gazetave me specialet e famshme të animuara si “A Charlie Brown Christmas” dhe “It’s the Great Pumpkin, Charlie Brown”, që u transmetuan për vite me radhë në televizion, duke e kthyer “Peanutsin” në një pjesë të pandashme të kulturës pop.

Në vitin 2015, “20th Century Fox Animation” dhe “Blue Sky Studios” realizuan filmin “The Peanuts Movie”, i cili u prit pozitivisht dhe shënoi rikthimin e madh të Charlie Brownit në ekranin e madh pas një pauze të gjatë.

Në vitet e fundit, kompania “WildBrain” kishte mbajtur gjallë universin “Peanuts” përmes serialeve të animuara si “Snoopy in Space” dhe “The Snoopy Show”.