Sigourney Weaver dhe Kevin Kline i kanë fituar rolet kryesore në adaptimin e bestsellerit të Ann Leary, “The Good House”.
Ngjarja e romanit bën fjalë për Hildy Good (Weaver), e cila për dekada ka jetuar në komunitetin historik në New England, kështu që ajo di gjithçka për të gjithë. Ajo është pasardhëse e një shtrige e cila është varur në Salem, kështu që shumë ia atribuojnë asaj disa fuqi të caktuara, por ajo vetëm është e mirë në leximin e njerëzve, shkruan KOHA Ditore. Ajo është e mirë edhe për shumë gjëra të tjera: është agjente e suksesshme e pasurive të patundshme, si dhe nënë dhe gjyshe e suksesshme. Megjithatë, ajo bëhet mjaft e vetmuar pasi vajzat e saj e dërgojnë në rehabilitim nga alkooli, kështu që kur e gjen një shoqe të re, nënën e sapoardhur Rebecca, Hildy gëzohet shumë. Dy shoqet e reja kalojnë shumë kohë së bashku derisa nuk përfshihet i dashuri i vjetër i Hildy, Frank (Kline), i cili është i bindur që Rebecca nuk është ashtu siç duket...

Produksioni fillon këtë javë në Kanada, ndërsa regjinë dhe skenarin e bëjnë çifti martesor Maya Forbes dhe Wally Wolodarsky (A Dog’s Purpose, A Dog’s Journey). Adaptimi i këtij romani është planifikuar për vite me radhë dhe dikur ishte planifikuar që në rolin kryesor të shfaqeshin Meryl Streep dhe Robert De Niro.
Weaver së shpejti do të duhej ta shihnim si Dr. Grace Augustine në vazhdimet e Avatarit të James Cameron, ndërsa do të shfaqet edhe në filmin e ri të Ghostbusters ku bashkohet ekipi origjinal dhe i cili e mban titullin Ghostbusters 2020. Kline qysh në vitin 1988 e fitoi Oscarin për rol mbështetës në komedinë “A Fish Called Wanda”, ndërsa së shpejti do ta shohim në një rol më të vogël në dramën “The Starling” të Theodore Melfi dhe në dramën “The Diary” me Jackie Chan, në të cilën e ka një nga rolet kryesore.
Weaver dhe Kline kanë luajtur tashmë së bashku në filma dy herë në vitin 1993 në komedinë “Dave” dhe në vitin 1997 në dramën “The Ice Storm”.