John, emri i vërtetë i të cilit ishte Malcolm John "Mac" Rebennack, njihet për brendin e tij ndikues në zhanrin blues rock. Artisti, i cili u konsiderua si i preferuar në qytetin e tij të lindjes në New Orleans, ishte fitues i gjashtë çmimeve Grammy dhe i pranuar në Rock and Roll Hall of Fame në vitin 2011.
Një deklaratë e postuar në faqen zyrtare të Dr. John në Twitter, sqaroi se ai kishte vdekur nga sulmi në zemër.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo
I lindur në Third Ward të New Orleans, Dr. John u sprovua për herë të parë në muzikë duke interpretuar në bendet e shkollave të mesme. Ai e braktisi atë menjëherë pas kësaj, duke u bërë një interpretues i rregullt në të gjithë qytetin, duke performuar kudo nga sallat muzikore e deri tek klubet e striptizit, shkruan KOHA Ditore.
Frekuentimi i lagjeve famëkeqe të New Orleansit filloi të ndikojë në Dr. Johnin e ri. Akuzat për drogë e çuan atë në një burg federal në Fort Worth, Texas. Pas lirimit në vitin 1965, u shpërngul në Los Angeles.
Pasi arriti në Hollywood, Dr. John shpejt e ngriti veten si një muzikant i muzikës marquee. Si anëtar i bendit legjendar The Wrecking Crew, lista e bashkëpunëtorëve të tij përfshin disa prej emrave më të mëdhenj në muzikë, përfshirë Rolling Stones, Van Morrison, Sonny dhe Cher, Aretha Franklin dhe Ringo Starr.

Karriera e Dr. John si solo artist filloi në vitin 1968. Albumi i tij depërtues, Gris Gris, ia prezantoi audiencës mbarëbotërore tingujt e tij voodoo-funk të muzikës rock. Duke qenë një personalitet unik me një sens të modës së larmishme, stili i Dr. John dhe vokali i tij i veçantë e bënë atë një nga zërat më ekscentrikë në muzikë.
Ai e arriti kulmin e tij komercial me albumin e vitit 1973, “In the Right Place”. Albumi, me produksion të idhullit të tij nga New Orleans, Allen Toussaint, ishte më i shituri në karrierën e Dr. John, kryesisht falë hit singlit "Right Place Wrong Time".
Në vitet e fundit, karriera mbresëlënëse e Dr. John u festua nga një brez i ri artistësh. Në vitin 2013, muzikanti e fitoi Grammyin e tij të gjashtë për albumin Locked Down, me produksion të Dan Auerbach nga Black Keys. Një vit më vonë, ai u shfaq në Sonic Highways, serinë e HBO-së për dokumentarët muzikorë me produksion dhe organizuar nga frontmeni i “Foo Fighters”, Dave Grohl.
Një album përkushtues i vitit 2016 dhe koncerti i titulluar The Musical Mojo of Dr. John e shfaqin një formacion mbresëlënës të muzikantëve të mëdhenj, që i interpretuan disa nga këngët më të dashura të këngëtarit të New Orleans, përfshirë Bruce Springsteen, Mavis Staples dhe John Fogerty.
Dr. John gjithashtu kontribuoi në botën e filmit dhe televizionit. Muzika e tij u paraqit në filmin e animuar të Disney, “The Princess and the Frog”, si dhe në ribërjen filmike të “The Jungle Book” nga viti 2016. Ai e kompozoi kolonën zanore të serialit të fëmijëve në PBS, “Curious George”, krijoi xhinglën e reklamës "Love That Chicken" për Popeyes dhe ishte frymëzim për karakterin e “Muppets”, Dr. Teeth.
Derisa lajmi për vdekjen e Dr. John filloi të përhapej, shumë muzikantë dhe bashkëpunëtorë të mëhershëm u prononcuan në mediat sociale për t’i shprehur ngushëllimet e tyre.