Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Shtyhet data e lansimit të filmit “The Marvels”

Studioja “Marvel” e ka konfirmuar lajmin e shtyrjes së lansimit të filmit të ri, “The Marvels”, për gjithsej katër muaj.

Projekti i realizuar nga regjisorja, Nia DaCosta, që është vazhdim i filmit të vitit 2019, “Captain Marvel”, planifikohej të fillojë së shfaquri nëpër kinematë botërore nga 28 qershori I këtij viti, por tani data e lansimit të tij është shtyrë për 10 nëntor.

“The Marvels” gjithashtu shërben si një vazhdim i serialeve të realizuar nga Disney+, “WandaVision” dhe “Ms. Marvel”.

Ngjarja e tij fokusohet në superheroinat, Carol Danvers, ndryshe e njohur si Captain Marvel, Kamala Khan apo Ms. Marvel dhe Monica Rambeau apo Spectrum, të cilat fillojnë t’i shkëmbejnë vendet me njëra-tjetrën sa herë që përdorin fuqitë e tyre. Kështu ato detyrohen të bashkëpunojnë për të kuptuar pse po ju ndodhë kjo gjë.

Me role kryesore në filmin e dytë vijnë aktoret, Brie Larson, Iman Vellani dhe Teyonah Parris. Po ashtu për herë të pesëmbëdhjetë në rolin e agjentit, Nick Fury, rikthehet aktori i njohur hollywoodian, Samuel L Jackson, kurse rolin e personazhit të ligë e luan aktorja e re, Zawe Ashton.

Studioja “Marvel” sapo e ka lansuar filmin e dytë, “Ant-Man And The Wasp: Quantumania”, kurse vazhdimi i tretë i projektit shumë të dashur nga publiku, “Guardians Of The Galaxy”, pritet të publikohet në muajin maj.