Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

SHBA-ja tronditet nga skandali ku përfshihen yjet botërore

Fakultetet amerikane aktualisht janë tronditur nga një nga skandalet më të mëdha ndonjëherë, ndërsa në të janë përfshirë edhe dy aktore të famshme, 54-vjeçarja Lori Loughlin, të cilën publiku e mban mend për rolin e saj si Rebecca në hit serinë "Full House" dhe 56-vjeçarja Felicity Huffman, e cila e luajti Lynette Scavo në 'Desperate Housewives'. Sipas aktakuzës, ndërmjetësuesit i kishin falsifikuar dokumentet e fëmijëve, duke i përfshirë rezultatet e provimeve të tyre, për ta lehtësuar regjistrimin e tyre.

Kundër William Singer, 59-vjeçarit i cili qëndron prapa gjithë skandalit, janë ngritur katër padi, mes të cilave janë zhvatja dhe shpëlarja e parave, ndërsa së fundi ai e pranoi përgjegjësinë, raporton “The New York Times”.

Image

Organizata kriminele dyshohet se i mori gjithsej 25 milionë dollarë nga prindërit të cilët dëshironin që fëmijët e tyre t’i ndiqnin universitetet prestigjioze si Yale, Georgetown, Stanford, Universiteti i Kalifornisë Jugore (ISC), UCLA dhe Wake Forest. Gjithsej 33 prindër u akuzuan sepse iu drejtuan Singerit dhe ia paguan atij nga 200 mijë deri në 6.5 milionë dollarë, shkruan KOHA Ditore.

"Nuk mund të ekzistojë sistem i veçantë për regjistrimin në fakultete për persona të pasur, ashtu siç nuk mund të ekzistojë as sistem ligjor i veçantë për ta", tha kryeprokurori i shtetit Massachusetts, Andrew Lelling, në një konferencë shtypi në Boston.