Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Aktoreve u kanosen 20 vjet burgim për dhënie të mitës

Dy aktoret hollivudiane, 54-vjeçarja Lori Loughlin, të cilën publiku e mban mend për rolin e saj si Rebecca në serinë “Full House” dhe 56-vjeçarja Felicity Huffman, e cila e ka luajtur Lynette Scavo në “Desperate Housewives”, janë akuzuar se u kanë paguar ndërmjetësve për t’i falsifikuar dokumentet e fëmijëve, duke përfshirë rezultatet e provimeve të tyre, për ta lehtësuar regjistrimin e tyre. Aktoret pardje dolën para gjykatësit në Boston i cili i përballi ato me mundësitë e dënimit maksimal prej 20 vjetësh burgim, tre vjet dënim me kusht dhe 250 mijë dollarë gjobë, raporton TMZ.

"Nuk mund t'i trajtoni njerëzit ndryshe vetëm sepse kanë para. Kështu edhe erdhëm në këtë situatë. Secili i pandehur do të trajtohet në mënyrë të barabartë", tha burimi për median e lartpërmendur për Felicity dhe Lorin.

Pasi që ky skandal shpërtheu në media, vajzat e Lori Loughlin, Olivia dhe Bella u çregjistruan ga universiteti prestigjioz i Kalifornisë Jugore (USC). Siç tha një burim i afërt i familjes për TMZ, Olivia 19-vjeçare dhe Bella 20-vjeçare kishin frikë se do të bëheshin viktima të dhunës psikologjike të moshatarëve të tyre, kështu që vullnetarisht vendosën ta ndërpresin vijimin kolegjit të lartpërmendur, shkruan KOHA Ditore.

T’ju rikujtojmë, kundër 59-vjeçarit William Singer, i cili qëndron prapa gjithë skandalit, janë ngritur katër akuza, mes të cilave janë edhe zhvatja dhe pastrimi i parave, dhe ai e pranoi përgjegjësinë. Organizata e tij kriminale dyshohet se e ka marrë një total prej 25 milionë dollarësh nga prindërit të cilët dëshironin që fëmijët e tyre t’i ndiqnin universitetet prestigjioze si Yale, Georgetown, Stanford, Universiteti i Kalifornisë Jugore (ISC), UCLA dhe Wake Forest. Gjithsej 33 prindër u akuzuan që iu drejtuan Singerit dhe ia paguan atij nga 200 mijë deri në 6 milionë e gjysmë dollarë.