Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Aktoreve të akuzuara për mitë u kanoset burgu

Dy aktore hollivudiane, 54-vjeçarja Lori Loughlin, të cilën audienca jonë e mban mend për rolin e saj si Rebecca në serialin "Full House" dhe 56-vjeçarja Felicity Huffman, e cila e ka luajtur Lynette Scavo në "Desperate Housewives", janë akuzuar se kanë paguar agjentë për t’i falsifikuar dokumentet e fëmijëve, duke përfshirë rezultatet e provimeve të tyre, për ta lehtësuar regjistrimin e tyre.

Aktoreve tani u kanoset burgimi ndërkohë që u janë rrezikuar edhe karrierat e tyre të aktrimit. Siç tha një burim i afërt me Lori Loughlin për portalin Deadline, aktorja do të mund të mbetet pa angazhim në seritë “Fuller House”, “When Calls The Heart” si dhe në serinë filmike “Garage Sale Mistery”.

Situatë e ngjashme është me Felicity Huffman, tre projektet e ardhshme të të cilës janë në pikëpyetje, shkruan KOHA Ditore.

Pasi që ky skandal doli në media, vajzat e Lori Loughlin, Olivia dhe Bella janë çregjistruar nga Universiteti prestigjioz i Kalifornisë Jugore (USC). Siç tha një burim i afërt me familjen për TMZ, Olivia 19-vjeçare dhe Bella 20-vjeçare kishin frikë se do të bëheshin viktima të dhunës psikologjike, prandaj ato vullnetarisht vendosën të ndalonin së vijuari kolegjin e sipërpërmendur. T’ju rikujtojmë, kundër William Singerit, 59-vjeçarit i cili qëndron prapa gjithë skandalit, janë ngritur katër akuza, duke përfshirë zhvatjen dhe shpëlarjen e parave, ndërkohë që ai e ka pranuar përgjegjësinë. Organizata e tij kriminale dyshohet se i ka marrë gjithsej 25 milionë dollarë nga prindërit të cilët dëshironin që fëmijët e tyre të ndjekin universitete prestigjioze si Yale, Georgetown, Stanford, Universiteti i Kalifornisë Jugore (USC), UCLA dhe Wake Forest. Gjithsej 33 prindër u akuzuan se i janë drejtuar Singerit dhe ia kanë paguar atij nga 200,000 deri në 6.5 milionë dollarë.