Showbiz

Sharon Stone thotë se kur pikturon, komunikon me shpirtra për t’u frymëzuar

Sharon Stone

Sharon Stone

Foto: Associated Press

Aktorja amerikane, Sharon Stone ka treguar se frymëzimin për pikturat e saj e gjen përmes asaj që e quan “ndërgjegje universale”, duke pohuar se gjatë procesit krijues komunikon me shpirtra.

67-vjeçarja, e njohur për rolin në filmin “Basic Instinct”, ka thënë se vitet e fundit ka kaluar një “udhëtim artistik” mes aktrimit dhe pikturës.

Për pikturë, ajo thotë se ka zhvilluar një lidhje të fortë me botën shpirtërore, sidomos pas humbjes së disa anëtarëve të familjes, ka raportuar FemaleFirst.

“Mendoj se ky kanal u hap sepse shumë anëtarë të familjes sime vdiqën dhe këto humbje ndodhën shumë shpejt, brenda rreth tre vjetësh e gjysmë. Unë vërtet e dëgjoj këtë ndërgjegje më të lartë që flet me mua. Kur këto portrete filluan të vinin, ato më flisnin”, ka thënë Stone për Extra.

Aktorja u shpreh emocionale teksa tregoi se ndien nevojën t’i falënderojë këta “shpirtra” pasi përfundon një pikturë.

“Mendoj se është diçka shumë e veçantë kur njerëzit… kur më lejojnë ta shoh shpirtin e tyre. Sepse besoj në ndërgjegjen universale dhe besoj se dikush më ka lejuar të hyj në ndërgjegjen e tij, në mënyrë që ta pikturoj portretin e një personi që nuk e njoh. Ndihem shumë e bekuar”, ka thënë ajo.

Stone ka veçuar një pikturë të titulluar “Him”, për të cilën ka thënë se i frymëzimi erdhi nga një shpirt që u hap me shumë vështirësi.

“Në fund, kur ai filloi të fliste me mua, ishte jashtëzakonisht traumatike. Ai më tha se ishte mbytur në një anije, ku ishte i lidhur me zinxhirë në fundin e saj”, ka treguar ajo.

Aktorja ka shtuar se përjetimi i kësaj historie gjatë pikturimit ishte tronditës.

“Kur e pikturova dhe përjetova traumën e të qenit i lidhur dhe i mbytur, pa mundur të çlirohej nga zinxhirët, ishte jashtëzakonisht e dhimbshme”, ka thënë ajo.

Piktura “Him” ishte pjesë e ekspozitës “Rogues Gallery”, ku u shfaqën disa nga veprat e saj më të fundit.

Në një njoftim për projektin thuhej se bëhet fjalë për “portrete të fuqishme dhe tronditëse të shpirtrave të njerëzve nga epoka të ndryshme, të cilët Stone ka filluar t’i kanalizojë gjatë pikturimit”.

Duke folur më herët për këtë vepër, Stone pati sqaruar se shpirti që e frymëzoi pikturën ishte një person i skllavëruar që u mbyt në Detin e Kinës Lindore, në një anije skllevërish.