Artistja e njohur kanadeze, Shania Twain, dëshiron ta incizojë një këngë me kantautoren, Adele.
Ylli i hitit “That Don’t Impress Me Much” e habiti këngëtaren britanike në nëntor të vitit të kaluar, kur i tregoi se e ka ndjekur fshehurazi një prej koncerteve të saj në Las Vegas. Nga atëherë, dy artistet e suksesshme janë ritakuar në fillim të vitit, në ceremoninë e ndarjes së çmimeve “Grammy”, dhe tani Shania shpreson që lidhja e tyre shoqërore do të mund të zgjerohet me një bashkëpunim muzikor.
Për gazetën “The Sun”, Tëain tha: “Do të doja shumë të këndoja me të. Mendoj se zërat tanë do të përshtateshin shumë bukur. Sigurisht se kjo do të ishte një mundësi e jashtëzakonshme. Adele është një këngëtare shumë e mirë dhe e ka stilin e saj unik të këndimit. Po ashtu, e ka një karakter të veçantë në skenë dhe është performuese e jashtëzakonshme. E ka një sens të veçantë të humorit dhe unë e pëlqej shumë atë”.
Tutje, Shania tregoi se e ka takuar personalisht Adelen në ceremoninë e fundit të ndarjes së çmimeve “Grammy”, ku pati rastin të bisedojë me të.
Këngëtarja 58-vjeçare në shkurt të këtij viti e publikoi albumin e ri muzikor me titull, “Queen Of Me”. Fansat e saj u desh të presin gjashtë vjet për këtë lansim, por Twain i siguroi ata se nuk do të presin kaq gjatë për incizimin e radhës, kjo ngase i ka shkruar dhjetëra këngë të reja të cilët pritet të incizohen së shpejti.
“Kam shumë këngë të reja që i kam shkruar gjatë periudhës së pandemisë, sepse kisha kohë të lirë dhe e ndjeja nevojën ta shpreh kreativitetin. Kam mjaftueshëm këngë për t’i realizuar së paku edhe dy albume. Punët vetëm po grumbullohen prandaj po planifikoj ta incizojë një album të ri së shpejti”, deklaroi këngëtarja.
Shania Twain aktualisht është duke e realizuar turneun “Queen Of Me Tour”, që nisi me 28 prill të këtij viti dhe do të përfundojë më datën 14 nëntor.
Përgatiti: Edona Binaku