Filmi i ri i bazuar në Universin Kinematik Marvel, “Shang-Chi and the Legend of the Ten Rings”, vazhdon të ketë performancë të jashtëzakonshme në arkat filmike të Amerikës Veriore. Projekti i fundit me superheronj po i kryeson majat e kësaj liste për të katërtën javë me radhë, dhe tani është shndërruar në filmin më fitimprurës të vitit 2021.
Nga debutimi I tij nëpër kinema më 3 shtator, “Shang-Chi” ka arritur t’i arkëtojë 196.5 milionë dollarë nga shitja e biletave në Amerikë dhe Kanada, duke i mundur filmat “F9” dhe “Black Widow” të cilët e mbanin titullin e kampionit.
“Shang-Chi” ishte filmi i parë i studios “Disney” që u lansua vetëm nëpër kinema gjatë pandemisë. Performanca e tij e suksesshme i ka inkurajuar udhëheqësit e kompanisë, që edhe filmat tjerë të planifikuar për t’u lansuar gjatë vitit 2021, t’I publikojnë ekskluzivisht nëpër kinema.
“Shang-Chi and The Legend of the Ten Rings” është filmi i parë i bazuar në librat komik “Marvel” i cili fokusohet tërësisht në një superhero aziatik.
Kjo aventurë e re e sjell aktorin Simu Liu në rolin protagonist të mjeshtrit të artit marcial Kung Fu, i cili konfrontohet me ta kaluarën e tij që është munduar shumë ta lërë prapa. Kryepersonazhi Shang-Chi duket se po e jeton një jetë normale në San Francisco, por babai i tij Wenwu ndryshe i njohur si Mandarin, që është një lider terrorist legjendar dhe tejet i fuqishëm, i thotë se është koha që ai ta zërë vendin përkrahë tij. Kështu, Shang-Chi e sheh veten duke u rikthyer në jetën e tij të mëparshme, pasi ishte trajnuar nga babai i tij që të bëhej një prej vrasësve më të aftë në botë.
Në film luan edhe një aktore shumë e dashur për publikun mbarë botëror, Awkwafina, e cila shquhet për humorin e saj dhe ia sjell këtij filmi një dozë të komedisë. Pjesë e kastës së aktorëve janë edhe yjet: Tony Leung, Fala Chen, Meng’er Zhang, Florian Munteanu, Ronny Chieng dhe Michelle Yeoh.
Nga shitja e biletave anembanë botës, filmi “Shang-Chi” ka arritur që deri më sot t’i arkëtojë gjithsej 363.4 milionë dollarë, dhe është bërë filmi i katërt më fitimprurës i vitit 2021.