Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Tarantino i kritikoi filmat e “Marvelit”, Simu Liu reagoi kundër tij

Ylli i filmit “Shang-Chi”, Simu Liu, i është përgjigjur kritikave të regjisorëve Martin Scorsese dhe Quentin Tarantino, ndaj filmave të studios “Marvel”.

Dy regjisorët ikonik të Hollywoodit i kanë shprehur publikisht mendimet e tyre rreth projekteve të Marvelit, të cilët i kanë vlerësuar si të dobët dhe jo projekte kinematografike.

Scorsese e ndau mendimin e tij në vitin 2019, derisa së fundmi, Tarantino i bëri këta filma cak të kritikave duke sugjeruar se, personazhet e superheronjve janë bërë më të famshëm se aktorët që i portretizojnë ata.

“I keni të gjithë këta aktorë që janë bërë të famshëm duke i portretizuar këto personazhe superheronjsh. Por ata nuk janë yje të filmit. Captain America ose Thori janë yje”.

Si kundërpërgjigje ndaj këtij komenti të Tarantinos, aktori aziatiko-kanadez, Simu Liu, i cili rolin e parë të karrierës e shënoi në projektin e bazuar në universin kinematik “Marvel”, “Shang-Chi And The Legend Of The Ten Rings”, i mbrojti filmat me superheronj duke e vënë në pah suksesin e tyre financiar dhe përqafimin e diversitetit.

“Nëse vlerësimi se kush Meriton të jetë yll i filmit do të vinte nga Tarantino dhe Scorsese, atëherë unë nuk do të kisha pasur kurrë mundësinë të isha protagonist i një filmi me vlerë 400 milionë dollarë. Jam i mahnitur nga gjenialiteti i tyre në kinematografi. Këta regjisorë janë autorë të jashtëzakonshëm. Por, ata nuk kanë të drejtë ta drejtojnë gishtin kah unë apo kushdo tjetër”.

Edhe Quentin Tarantino tregon kë e konsideron aktorin më të keq në Hollywood Showbiz Quentin Tarantino tregon kë e konsideron aktorin më të keq në Hollywood

Tutje, aktori vazhdoi ta lavdërojë përfshirjen e aktorëve të racave e nacionaliteteve të ndryshme në filmat e “Marvel”, ndërsa vuri në dukje se Hollywoodi, gjatë gjithë historisë, nuk e ka përqafuar diversitetin në të njëjtën mënyrë.

“Asnjë studio filmike nuk është dhe nuk do të jetë kurrë e përkryer. Por, unë jam krenar që punoj me një studio që ka bërë përpjekje të vazhdueshme për ta përmirësuar diversitetin në ekran të madh, duke krijuar heronj që fuqizojnë dhe frymëzojnë njerëzit e të gjitha komuniteteve kudo në botë. Edhe unë e adhuroja ‘epokën e artë’ të kinematografisë, por ajo dominohej plotësisht nga raca e bardhë”, deklaroi Liu.

Tarantino ka folur në disa raste kundër filmave të studios “Marvel”, duke thënë se kurrë nuk do ta bënte regjinë e një projekti të tillë.