Showbiz

“Shang-Chi and The Legend of the Ten Rings” filmi i ri i studios “Marvel”

Studioja “Marvel” e ka publikuar trilerin e parë të filmit të shumëpritur me superheronj, “Shang-Chi and The Legend of the Ten Rings”.

Kjo aventurë e re e sjell aktorin Simu Liu në rolin protagonist të mjeshtrit të artit marcial Kung Fu, i cili konfrontohet me ta kaluarën e tij që është munduar shumë ta lërë prapa.

Ky është filmi i parë i bazuar në librat komik “Marvel” i cili fokusohet tërësisht në një superhero aziatik.

Në trilerin e mbushur me skena aksion, kryepersonazhi Shang-Chi duket se po e jeton një jetë normale në San Francisco, por babai i tij Wenwu ndryshe i njohur si Mandarin, që është një lider terrorist legjendar dhe tejet i fuqishëm, i thotë se është koha që ai ta zërë vendin përkrahë tij.

Kështu, Shang-Chi e sheh veten duke u rikthyer në jetën e tij të mëparshme, pasi ishte trajnuar nga babai i tij që të bëhej një prej vrasësve më të aftë në botë.

Në film luan edhe një aktore shumë e dashur për publikun mbarë botëror, Awkwafina, e cila shquhet për humorin e saj dhe ia sjell këtij filmi një dozë të komedisë. Pjesë e kastës së aktorëve janë edhe yjet Tony Leung, Fala Chen, Meng’er Zhang, Florian Munteanu, Ronny Chieng dhe Michelle Yeoh

“Shang-Chi and The Legend of the Ten Rings” do të fillojë së shfaquri nëpër kinema më 3 shtator të këtij viti.