Seriali i njohur televiziv, “And Just Like That”, është ripërtërirë për sezonin e dytë në platformën HBO Max. Shou, i cili shkaktoi debate eksplozive në internet pas transmetimit të çdo episode, tashmë zyrtarisht do të rikthehet në ekran, raportoi portali “Variety” të martën.
Komedia ikonike e cila është vazhdim i hitit televiziv, “Sex and the City”, u ripërpunua më vonë se që ishte pritur nga fansat e serialit. Megjithatë, ajo arriti të ketë shikueshmëri të kënaqshme.
Casey Bloys, shefi i përmbajtjes për kanalin HBO dhe platformën digjitale HBO Max, deklaroi se seriali “And Just Like that” ishte prodhimi origjinal më i suksesshëm i platformës deri më sot. Prandaj, në disa intervista, krijuesit e këtij shou së bashku me producenten ekzekutive, Sarah Jessica Parker, thanë se dëshirojnë që ai të vazhdojë edhe me sezone të ardhshme.
Episodi i fundit i sezonit të parë të serialit e la historinë e kryepersonazhit në gjysmë, çka nënkupton se ka shumë tema të cilat mund të eksplorohen në të ardhmen.
Aktoret e kastës origjinale të serisë, Sarah Jessica Parker e cila e portretizon protagonisten Carrie Bradshaw; Cynthia Nixon që vjen në rolin e Mirandas dhe Kristin Davis që e luan rolin e Charlottes, tashmë e kanë konfirmuar lajmin se do të rikthehen në sezonin e ri. Ato po ashtu angazhohen si producente ekzekutive të projektit.
Hiti televiziv, “Sex and the City”, i cili u transmetua në kanalin HBO për gjashtë sezone, nga viti 1998 deri më 2004, u krijua nga Darren Star dhe bazohej në librin me të njëjtin emër të autores, Candace Bushnell.