Showbiz

Mesazhi i P.Diddyt në gjyq: Ju dua të gjithëve

P.Diddy në gjyq

P.Diddy në gjyq

Foto: Associated Press

Në ditën e shtatë të gjyqit për trafikim seksual dhe krime të tjera të rënda, Sean “Diddy” Combs, u drejtua me katër fjalë të thjeshta ndaj të pranishmëve në sallën e gjyqit në New York: “Ju dua të gjithëve”.

Sipas revistës People, reperi 55-vjeçar i cili është deklaruar i pafajshëm për akuzat për trafikim seksual, shfrytëzim prostitucioni dhe përfshirje në rrjet kriminal, e tha këtë frazë me zë të lartë teksa seanca përfundoi, duke shtuar me zë të ulët: “Po, dashuri”, ka raportuar E News.

Më tej, ai iu drejtua një gruaje të pranishme në sallë, duke e porositur që t’i thotë të birit të tij se është duke menduar për të.

“Të lutem thuaji Justinit që po mendoj për të”, ka thënë ai duke përmendur djalin e tij 31-vjeçar, Justin Combs.

Nuk ishte hera e parë që Diddy shprehte dashuri publikisht gjatë procesit gjyqësor. Më 13 maj, sipas, ai bëri me duar një zemër, teksa u ul në bankën e të akuzuarit.

Ndërkohë, gjyqi ka sjellë në sallën e dëshmive figura të njohura nga e kaluara e tij, përfshirë ish-të dashurën, këngëtaren e njohur Cassie Ventura, e cila ka rrëfyer abuzime të rënda që, sipas saj, i ka përjetuar gjatë marrëdhënies shumëvjeçare me Combsin.

Ventura, sot 38 vjeç, deklaroi para gjykatës se ka marrë pjesë në qindra festa seksuale të njohura si “freak offs”, të organizuara me prostituta të paguara, dhe gjithmonë me udhëzimin e Combs.

“Duhej të merrja pjesë edhe kur kisha infeksione urinare dhe ndihesha e sëmurë”, ka thënë ajo, duke shtuar se Combs e kërcënonte se do të publikonte video të akteve seksuale nëse ajo refuzonte.

Ajo i dha fund lidhjes me Combs në vitin 2018, pas më shumë se një dekade bashkëjetese, duke përmendur frikën e vazhdueshme për sigurinë e saj.

“Gjithmonë në mendjen time ishte ideja se do të më bënte keq një ditë. Ai është shumë polarizues, shumë karizmatik. Ishte e vështirë të kuptoje çfarë ishte e drejtë apo e gabuar kur ai kërkonte diçka”, ka thënë ndër të tjera Ventura.

Procesi kundër Combs vazhdon, ndërsa dëshmitë e ish-partneres së tij dhe të tjerëve kanë sjellë në dritë akuza të rënda që kanë tronditur opinionin publik.