Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Scarlett Johansson mezi kishte pritur mundësinë të fliste për “Black Widow”

Scarlett Johansson tani më në fund mund të flasë për filmin e saj të pavarur nga Marvel Cinematic Universe.

Aktorja ndoshta nuk guxon të zbulojë detaje, por ajo më në fund u relaksua kur në Comic-Con u konfirmua se na pret filmi Black Widow. Produksioni tashmë ka filluar dhe aktualisht xhirimet janë duke u zhvilluar në Londër, kështu që Johansson me regjisoren Cate Shortland dhe aktorët Rachel Weisz, Florence Pugh dhe David Harbur ndaluan për pak kohë në San Diego. Ata ishin në Comic-Con për një ditë dhe duhej të ktheheshin në set.

"Këtë javë i kemi shtatë faqe të dialogut, kështu që ky film është pak më ndryshe nga filmat e tjerë të Marvel. Ka shumë llafe. Unë mund të flas shumë. Kjo është e gjitha që mund t'ju tregoj rreth filmit", komentoi ajo. "Mendoj se më në fund do ta zbulojmë nga çfarë ka frikë Black Widow."

Image

Ajo e pranoi se një film si ky nuk do të mundë ta xhironte dhjetë vjet më parë: "Po ta kisha bërë një film të pavarur për Black Widow dhjetë vjet më parë ai do të ishte krejtësisht ndryshe, shkruan KOHA Ditore. Do të ishte më shumë karikaturë e karakterit tim. Në ato dhjetë vjet jam bërë nënë gjë që më dha një perspektivë të re për jetën dhe tani është më e lehtë të tregoj emocione të ndryshme. Mendoj se tani jam një person më i fortë pikërisht sepse e kam pranuar cenueshmërinë time. Mendoj se kjo do t'i japë personit më shumë kompleksitet".

Johansson shtoi gjithashtu se është shumë e kënaqur me zgjedhjen e regjisores për të cilën beson se gjithmonë e paraqet një të vërtetë të pakëndshme dhe brutale – që është ajo çfarë i duhet këtij filmi.

Sipas planit aktual, Black Widow do të arrijë në kinema më 1 maj 2020.