Showbiz

Samuel L. Jackson do ta pranojë një çmim special në “NAACP Image Awards”

Foto: AP/Associated Press

Aktori i njohur hollywoodian, Samuel L. Jackson, do të nderohet me shpërblimin “Chairman’s Award”, gjatë edicionit të 53-të të ceremonisë “NAACP Image Awards” e cila mbahet në muajin shkurt.

Lajmi u bë i ditur nga organizatorët e kësaj ngjarjeje të cilët treguan se aktori 73-vjeçar, do ta pranojë çmimin i cili ka për qëllim t’i nderojë personat që demonstrojnë shërbime publike shembullore dhe përdorin platformat e tyre të veçanta për të krijuar ndryshime në botë.

“Shumë mund të mos e dinë se para karrierës së tij të aktrimit, Jackson ishte një aktivist i Lëvizjes për të Drejtat Civile në vitet 1960, madje duke shërbyer si drejtues në funeralin e Martin Luther King Jr. Shërbimi i tij i vazhdueshëm publik dhe avokimi për ndryshime sociale, e bëjnë atë një person të përkryer për ta pranuar këtë çmim special”, deklaroi Leon W. Russell, kryetar i bordit të organizatës për të drejtat sivile “NAACP” .

Në të kaluarën me këtë shpërblim janë nderuar yjet: Tyler Perry, ish-presidenti Barack Obama, Danny Glover dhe të tjerë.

Ceremonia e ndarjes së shpërblimeve “NAACP Image Awards” do të mbahet më 26 shkurt dhe transmetohet në kanalin “BET”.

Jackson i cili gjatë karrierës së tij ka luajtur në më shumë se 100 filma, shquhet për portretizimin e Julesit në filmin e Quentin Tarantinos, “Pulp Fiction'” dhe personazhin Gator Purify në filmin e regjisorit Spike Lee, “Jungle Fever”. Ai ka luajtur edhe në disa projekte tjera që do të mbesin gjatë në kujtimet e publikut, si “Do the Right Thing”, “Unbreakable”, “Snakes on a Plane'” dhe disa projekte të Marvelit përfshirë këtu “The Avengers'” dhe “Captain America: The Winter Solider”.

Aktori i nominuar për “Oscar” pritet të luajë në serialin e ardhshëm të platformës “Apple TV”, me titull “The Last Days of Ptolemy Grey”. Ai po ashtu do ta pranojnë një çmim akademik special i cili i ndahet në ceremoninë e sivjetme “Governors Awards”.