Këngëtarja e famshme pop, Sabrina Carpenter, do ta luajë rolin kryesor dhe do të jetë edhe producente në një film të ri mjuzikëll të bazuar në librin e njohur “Alice’s Adventures in Wonderland” të Lewis Carrollit.
Filmi do të shkruhet dhe do të drejtohet nga Lorene Scafaria, e cila njihet për punën e saj si skenariste dhe regjisore në projekte të suksesshme në Hollywood.
Sipas burimeve për Variety, Sabrina ka qenë ajo që ka propozuar idenë për filmin te kompania Universal në vitin 2024, dhe projekti ka filluar të ecë përpara pas angazhimit të Scafarias si regjisore dhe skenariste.
Carpenter do ta prodhojë filmin bashkë me Marc Platt përmes kompanisë së tij Marc Platt Productions, si dhe me Leslie Morgenstein dhe Elysa Koplovitz Dutton nga Alloy Entertainment.
Burime për The Hollywood Reporter e kanë quajtur këtë projekt një “projekt pasioni” për këngëtaren, e cila duket se e ka ëndërruar gjithmonë një film të tillë mjuzikëll.
Sabrina nuk është e huaj për ekranin e madh - ajo ka luajtur më parë në filmin “Horns” me Daniel Radcliffe në vitin 2013 dhe në “Tall Girl 2”.
Në një tjetër intervistë, producentja e njohur, Judy Craymer, krijuesja e filmit “Mamma Mia!”, ka treguar se dëshiron që Carpenter të jetë pjesë e filmit të tretë të këtij suksesi.
Craymer tha për Deadline: “Ajo do të ishte si një perëndeshë, ose një personazh që i ngjan shumë Meryl Streepit”.
Sabrina është fanse e madhe e grupit ABBA dhe madje ka kënduar disa nga këngët e tyre gjatë turit të saj “Short n’ Sweet”.
Craymer ka shtuar se skenari për “Mamma Mia! 3” është gati dhe se projekti “do të ndodhë”, pasi filmi bashkoi një grup të mrekullueshëm aktorësh si Meryl Streep, Pierce Brosnan dhe Amanda Seyfried.
Seyfried madje ka thënë më parë se do të donte që Carpenter ta luante vajzën e saj në filmin e ardhshëm të Mamma Mia!.