Aktori dhe komediani britanik Russell Brand është deklaruar i pafajshëm për akuzat për përdhunimdhe sulm seksual, gjatë një seance gjyqësore në Londër, ka raportuar BBC.
49-vjeçari u paraqit të premten në Gjykatën e Lartë të Southwark, ku për herë të parë mohoi zyrtarisht pesë akuzat që rëndojnë mbi të.
Akuzat përfshijnë: një përdhunim, një sulm të pahijshëm, një përdhunim oral dhe dy akuza të tjera për sulm seksual. Ngjarjet pretendohet të kenë ndodhur mes viteve 1999 dhe 2005 dhe lidhen me katër gra të ndryshme.

Sipas prokurorisë, Brand akuzohet se ka kryer përdhunim oral dhe sulm seksual ndaj një gruaje në muajin korrik të vitit 2004, si dhe se ka përdhunuar një tjetër grua në vitin 1999. Një tjetër akuzë lidhet me një ngjarje ne vitin 2001, kur ai dyshohet se ka kapur një grua për krahu dhe e ka tërhequr drejt një tualeti për meshkuj. Gjithashtu, ai akuzohet se ka puthur dhe prekur në mënyrë të pahijshme një grua tjetër mes viteve 2004-2005.
Brand, i veshur me kostum të errët dhe këmishë të zbërthyer, nuk foli me gazetarët dhe shikonte drejt përpara ndërsa hynte në ndërtesën e gjykatës. Ai qëndroi në kabinën e xhamit dhe, pasi u lexuan të gjitha akuzat ndaj tij, u përgjigj: “I pafajshëm”.

Gjykata ka njoftuar se gjyqi do të nisë më 3 qershor 2026, ndërsa Brand do të qëndrojë i lirë me kusht deri atëherë.
Pas ngritjes së akuzave në muajin prill, Brand ka publikuar një video në rrjetet sociale ku mohoi çdo veprim të paligjshëm.
“Nuk jam përdhunues dhe nuk kam kryer kurrë marrëdhënie seksuale pa pëlqimin e palës tjetër. Tani do të kem mundësinë të mbroj veten në gjykatë dhe jam jashtëzakonisht mirënjohës për këtë”, ka thënë ai.
Russell Brand, i lindur në Essex, u bë i njohur si komedian në stand-up komedi dhe më pas si prezantues i emisioneve televizive si “Big Brother’s Big Mouth”. Ai pati sukses edhe në radio në BBC Radio 2 dhe 6 Music, ndërsa më pas kaloi në kinematografi me role në filma si “Forgetting Sarah Marshall” dhe “Get Him To The Greek”.