Rolls Royce i gjelbër i cili dikur ishte në pronësi të aktores Elizabeth Taylor është shitur në ankand në New York të mërkurën për 520,000 dollarë. Automobili, të cilin adhuruesit e quanin "Green Goddess", i është shitur një ofertuesi anonim, njoftoi shtëpia e ankandeve Guernsey’s.
Fituesja e dyfishtë e Oscarit për aktoren më të mirë në filmat 'Who’s afraid of Virginia Woolf?' dhe 'Butterfield', Elizabeth Taylor, e zotëroi Rolls Roycen e gjelbër për vite me radhë. Ai ishte dashuria e Lizës që zgjati më së gjati, pasi ajo e kishte përdorur atë nga viti 1959 deri në vitet 1970, shkruan KOHA Ditore. Automobili është mbajtur në gjendje të përsosur edhe sot e kësaj dite. Bëhet fjalë për modelin Silver Cloud II Convertible me 64,000 kilometra të kaluara.
Në vitin 1960, aktorja e mori atë dhuratë nga bashkëshorti i saj i atëhershëm Eddie Fisher. Ajo e zgjodhi ngjyrën e gjelbër për shkak të ngjyrës së fustanit që kishte veshur në ceremoninë martesore me Fisher.
Automobili u ble në fund të viteve 1970 nga koleksionisti i Kalifornisë Karl Kardel. Dhe megjithëse Green Goddess ka qenë në pronë të Lizës për 20 vjet, Kardel tha për New York Times se ai mendonte se ajo kurrë nuk e kishte ngarë atë personalisht.
“Nuk mendoj se Elizabeth madje ka pasur patentë shoferi”, - tha Kardel.