Showbiz

Robert De Niro shpreh mbështetje për vajzën e tij transgjinore

Airyn dhe Robert de Niro

Airyn dhe Robert de Niro

Aktori Robert De Niro, ka treguar publikisht dashuri dhe përkrahje për vajzën e tij, Airyn, pasi ajo doli hapur dhe u deklaruar si transgjinore.

Në një intervistë të fundit për revistën LGBTQ+ Them, Airyn De Niro, 29 vjeç, foli për tranzicionin e saj, duke e përshkruar si një hap të rëndësishëm drejt vetvetes.
“Ka një ndryshim mes të qenit e dukshme dhe të ndjerit e parë. Kam qenë e dukshme. Nuk mendoj se kam qenë e parë ndonjëherë”, pati deklaruar ajo.

Robert De Niro, në një deklaratë për Variety, ka theksuar se për të, dashuria ndaj fëmijëve të tij mbetet e pandryshuar, pavarësisht identitetit gjinor.

“E kam dashur dhe mbështetur Aronin si djalin tim, dhe tani e dua dhe e mbështes Airynin si vajzën time. Nuk e kuptoj pse bëhet kaq bujë për këtë. I dua të gjithë fëmijët e mi”, ka thënë De Niro, raporton BBC.

Airyn është vajza e De Niros dhe ish-modeles e aktores amerikane Toukie Smith. Ajo ka thënë se aktorja dhe aktivistja për të drejtat e komunitetit LGBTQ+, Laverne Cox, ka qenë një frymëzim i madh për të.

Ajo ka shtuar se tani dëshiron të ndihmojë në rritjen e dukshmërisë së grave transgjinore.

“Gratë trans që janë të hapura dhe të sinqerta, sidomos në hapësira publike si rrjetet sociale, dhe kur i shoh duke pasur sukses … më bëjnë të mendoj: e di çfarë? Ndoshta nuk është vonë për mua”, ka thënë Airyn.

Duke folur për rritjen në një familje me shtatë fëmijë, Airyn ka cekur se asnjë prind nuk është i përkryer.

“Asnjë prind nuk është i përkryer, por jam mirënjohëse që të dy prindërit e mi ranë dakord të më mbanin larg vëmendjes së publikut. Më kanë thënë se kanë dashur që unë të kem fëmijëri sa më normale”, ka thënë ajo.

Ndërkohë, çështja e të drejtave të personave transgjinorë vazhdon të jetë në fokus edhe në Britani. Së fundmi, Gjykata Supreme ka vendosur unanimisht që në kuadër të ligjit për barazi, një grua përkufizohet sipas gjinisë biologjike.

E vetmja gjykatëse në historinë britanike që ka dalë hapur si transgjinore, ka paralajmëruar se do ta çojë çështjen në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, duke argumentuar se vendimi i cenon të drejtat e saj.

Gjykatësi Lord Hodge ka theksuar se ky vendim nuk duhet parë si fitore e një pale ndaj tjetrës, dhe ka theksuar se ligji ende ofron mbrojtje kundër diskriminimit për personat transgjinorë.