Pop këngëtarja me prejardhje kosovare e famë botërore, Rita Ora, thotë se albumi i saj i ri “You & I” është një letër personale për adhuruesit.
“Albumi ‘You & I’ mendoj se është thjeshtë një mesazh intim. Është diçka që ia thua dikujt që është i afërt dhe i rëndësishëm për ty. Unë doja që fansat e mi të ndiheshin sikur kjo ishte një letër personale e imja për ta”.
“Tingëllon si klishe por ky është definitivisht një album që flet për dashurinë. Unë jam një person romantik. Vërtetë besoj në dashuri dhe romancë dhe histori të këtilla thjeshtë më inspirojnë edhe në muzikën time”.
Albumi me 12 këngë të reja është jashtëzakonisht personal dhe e përfshinë vetëm një bashkëpunim me Fatboy Slim, i cili është pjesë e këngës “Praising You” të pozicionuar në vendin e parë të toplistës “Billboard” në kategorinë e zhanrit dance.
Ylli i hitit “Let You Love Me” po ashtu i ka publikuar me videoklip dy këngë tjera të albumit, “You Only Love Me” dhe “Don’t Think Twice”. Bashkëshorti i saj regjisor, Taika Waititi, e ka bërë regjinë e tyre duke e sjell Ritën në një frymë të re dhe shumë ndryshe nga ajo që jemi mësuar ta shohim në projektet e kaluara muzikore.
Albumi i tretë i këngëtares është përzierje e tingujve argëtues që të bëjnë të vallëzosh, dhe tregimeve personale për vetdyshimin dhe reflektimin. 32-vjeçarja Ora thotë se para disa vjetëve e kishte humbur besimin tek vetja, por me ndihmën e bashkëshortit e ka rikthyer dashurinë për të bërë muzikë dhe ka vazhduar të punojë në atë që rezultoi të jetë ky album.
“Mendoj, si njerëz ne gjithmonë priremi të dyshojmë në vetvete. Dhe kështu, mendoj se nga koha e lansimit të albumit tim të fundit ‘Phoenix’ e deri më tani, kanë ndodhur shumë gjëra. Unë u largova nga studioja incizuese me të cilën bashkëpunoja në të kaluarën, fillova të merresha më shumë me projekte televizive, si emisioni ‘The Voice’ dhe disa filma. Prandaj, nuk mendoj që mund të them se kam pauzuar sepse kam lansuar këngë kohë pas kohe, por teknikisht nuk kam realizuar ndonjë album gjatë vjetëve të fundit. Mendoj se kur bëhet fjalë për muzikën time, e vërteta është se e kisha humbur paksa besimin. Por, kjo ishte koha e duhur për mua që të realizoj album”.
Edhe
Rita Ora lanson albumin e ri
“Kjo epokë e re e imja është gjithçka. Unë e ndërrova studion incizuese, tani i zotëroj të gjitha materialet muzikore. Isha në kontroll të plotë të realizimit të këtij albumi. I kam bashkëshkruar të gjitha këngët e tij. E fillova gjithë këtë punë sepse vërtetë po ndjeja diçka brenda vetes. Thjeshtë është një incizim intim, personal dhe i sinqertë. Në të vërtetë, secili album më duket si një epokë e re për mua. Unë nuk lansoj albume çdo dy vjet. Fansave të mi nuk ju pëlqen kjo shprehi e imja, por mua më duhet kohë për ta realizuar një album sepse e bëjë këtë vetëm kur ndihem e gatshme”.
Aktualisht, Ora është duke e bërë gati versionin ‘deluxe’ të albumit “You & I”, i cili përfshinë yje të njohur të skenës muzikore. Po ashtu, ajo do të vazhdojë të shërbejë si anëtare e jurisë së shout “The Voice: Australia” dhe vjen me një rol në “Wonderwell”, që është filmi i fundit i xhiruar nga aktorja e ndjerë, Carrie Fisher.
Përgatiti: Edona Binaku