Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Rita Ora lanson videoprojektin “Don’t Think Twice”

Ylli i muzikë pop, Rita Ora, e ka publikuar videoprojektin e ri muzikor me titull, “Don’t Think Twice”.

Kënga vjen e kompletuar me videokip, i cili e sjell këngëtaren shumë më ndryshe nga që jemi mësuar ta shohim deri më tani. Me regji të bashkëshortit të saj, Taika Waititi, klipi është xhiruar tërësisht në një mal në vendlindjen e tij, Zelandë të Re, dhe duket se është frymëzuar nga një prej talenteve më të mëdhenj të kinemasë, që është regjisori Steven Spielberg dhe filmi i tij ikonik i vitit 1982, “E.T: The Extra Terrestrial”.

Duke diskutuar rreth këngës, Rita pranoi se përmbajtja lirike ishte frymëzuar nga marrëdhënia e saj me regjisorin, me të cilin e filloi lidhjen në vitin 2020 ndërsa shërbente si anëtare e jurisë në shoun “The Voice Australia”.

“Ka të bëjë me të mos menduarit dy herë dhe thjesht të guxosh në aspektin e jetës romantike. Njeriu jeton vetëm një herë, kështu që kënga në të vërtetë flet për kapjen e momentit dhe mos frenimin e vetes nga mendimet se çfarë mund ose nuk mund të ndodhë”.

“Don’t Think Twice” është kënga e tretë e publikuar nga albumi i ardhshëm i Oras dhe vjen pas hiteve, “You Only Love Me” dhe “Praising You”, të cilat deri më tani i kanë marrë më shumë se 80 milionë transmetime anembanë botës.

Albumi i ri me titull “You & I” lansohet më 14 korrik dhe këngëtarja me prejardhje kosovare ka zbuluar se Taika ishte ‘frymëzimi më i madh’ pas këtij projekti.

Përgatiti: Edona Binaku

Artikuj të ngjashëm