Ylli botëror i muzikës, Rita Ora, ka zbuluar se dasma e saj me regjisorin Taika Waititi nuk ishte planifikuar për një kohë të gjatë.
Këngëtarja me prejardhje kosovare në një intervistë ekskluzive për revistën “Glamour UK”, ka treguar se asaj dhe Waititit i janë dashur vetëm tri ditë për ta organizuar ceremoninë martesore, por shtoi se gjithçka ishte e përkryer.
Në muajin janar, Rita më në fund e konfirmoi lajmin se ajo dhe Taika janë martuar, pas thashethemeve të shumta në mediat online rreth një dasme të mundshme të çiftit në gusht të vitit të kaluar.
Ylli i hitit “Anywhere” në të kaluarën kishte treguar se me regjisorin e shpërblyer me “Oscar” kishte shoqëri disa vjeçare, para se të vendosnin të lidheshin në mënyrë romantike. Në fillim ata kishin ngurruar ta bënin këtë hap të rëndësishëm në jetën e tyre, pasi nuk donin ta prishnin këtë shoqëri të bukur që e kishin krijuar. Por, më pas e kuptuan se nuk mund t’i shmangin ndjenjat për njëri-tjetrin më gjatë, dhe e vërteta është se lidhja e tyre vazhdon të jetë e bukur dhe argëtuese.
“Ne marrim energji nga njëri-tjetri”, tha Rita, e cila më pas e zbuloi se dasmën me partnerin e jetës së saj e kishte organizuar për vetëm tri ditë.
“Gjithçka u planifikua për dy ose tri ditë, gjatë kohës sa nuk isha e angazhuar me incizimin e këngëve apo realizimin e ndonjë albumi muzikor. Nuk pati moment të propozimit për martesë duke u ulur në një gju, apo gjërat të tilla romantike. Ne thjeshtë e kuptuam se donim të martoheshim dhe vendosëm ta bëjmë këtë. Disa gra pëlqejnë ta ndjenjë atë vëmendje të veçantë në ditën e fejesës dhe martesës. Por, nuk jemi të gjithë të njëjtë. Unë personalisht, ndoshta për shkak të punës sime që më sjell shumë vëmendje të publikut, doja që këtë moment special të jetës ta mbaja privat. Sepse në të vërtetë jeta dhe karriera ime nuk ma lejojnë këtë luks”, deklaroi këngëtarja.
{gallery}
Edhe
Rita Ora bëhet “mjeke”
Waititi i ka dy vajzat, Matewa dhe Te, nga martesa e kaluar, dhe Rita tha se nuk ka dashur të bëjë dasmë pa praninë e tyre. Prandaj, e kanë bërë të pamundurën që ta organizojnë ardhjen e tyre nga Zelanda e Re dhe nga ai moment gjithçka ishte e përkryer.
Çifti është në lidhje për më shumë se dy vjet. Ata shquhen për paraqitjet e shpeshta së bashku nëpër ngjarje të profilit të lartë, derisa aktori dhe regjisori i famshëm po ashtu e mbështet Ritën në karrierën e saj muzikore.
Së fundmi, ai e bëri regjinë e videoprojektit të saj muzikor, “Praising You”, në bashkëpunim me DJ Fatboy Slim.
