Regjisori i shpërblyer me “Oscar”, Taika Waititi, në një intervistë të fundit ka zbuluar se ishte Rita Ora ajo që i propozoi për martesë, dhe ai kishte pranuar menjëherë.
Çifti u kurorëzua në verën e vitit 2022, dhe para pak ditëve i publikuan disa fotografi nga dasma për revistën “Vogue”. Në një artikull shoqërues, Waititi zbulon se ndryshe nga ajo siç e do tradita, ishte pop-ylli me prejardhje kosovare ajo që i propozoi martesë.
“Ajo më propozoi dhe unë menjëherë pranova. Dasma nuk ishte në Londër apo Francë, siç raportuan të gjitha mediat. Ndodhi në Los Angeles, në praninë e një grupi të vogël të miqve dhe familjarëve. Ishte shumë bukur dhe një ceremoni e vogël dhe intime. Nuk ishte një dasmë tipike stresuese por diçka shumë e thjeshtë. Vajzat e mia ishin aty dhe e bënë këtë përvojë edhe më të lehtë dhe argëtuese”.
Dyshja u takuan për herë të parë në një ndejë private në vitin 2018 që Taika e organizoi në shtëpinë e tij në Los Angeles, por dy vjet më vonë, kur të dy po xhironin në Australi, ata filluan të takoheshin në mënyrë romantike.
Ndërkaq në fillim të vitit, ylli i hitit “Anywhere” foli për martesën e saj me regjisorin nga Zelanda e Re, duke thënë se ia ka ndryshuar jetën përgjithmonë dhe se bashkëshorti i saj e ka inspiruar të shkruaj këngë sërish.
Ora është duke e shijuar suksesin e albumit të tretë me 12 këngë të reja, “You & I”, i cili është jashtëzakonisht personal. Albumi e përfshinë vetëm një bashkëpunim me DJ Fatboy Slim, i cili është pjesë e këngës “Praising You” të pozicionuar në vendin e parë të toplistës “Billboard” në kategorinë e zhanrit dance.
Rita gjithashtu është duke e bërë gati versionin ‘deluxe’ të albumit, i cili do të përfshijë yje të njohur të skenës muzikore. Këngëtarja e famshme do të vazhdojë të shërbejë edhe si anëtare e jurisë së shout “The Voice: Australia”.
