Filmi i shumëpritur i Walt Disney Co nga saga "Star Wars", "The Rise of Skywalker", i ka ndarë kritikët e filmit të mërkurën, duke fituar më shumë detraktorë se çdo film në këtë sagë që nga filmi i vitit 1999 "The Phantom Menace".
"Rise of Skywalker", i cili ka debutuar në kinematë në të gjithë globin të enjten, është vazhdimi i nëntë dhe i fundit në franshizën e filluar në vitin 1977, kur George Lucas e prezantoi heroin e ri të hapësirës, të quajtur Luke Skywalker, së bashku me një koleksion të mahnitshëm të droidëve dhe karaktereve të botës tjetër, shkruan KOHA Ditore.
Në faqen e internetit të Rotten Tomates, 57% nga 157 vlerësimet për "Rise of Skywalker" ishin pozitive deri në mëngjesin e së martës. Kjo e renditi atë si rezultatin e dytë më të ulët në mesin e nëntë filmave, përpara vetëm 53% për "The Phantom Menace".

Vlerësuesit e "Rise of Skywalker" e quajtën atë një përfundim të kënaqshëm për një tregim të dashur, ndërsa kritikët thanë se filmi me regji të J.J. Abrams dukej sikur nuk deshi të rrezikonte me qëllim që t’i kënaqte fansat shumëvjeçarë.
Jack Coyle nga Associated Press e quajti filmin një "finale të shpërbërë, pa ritëm, që përpiqet t’i kënaqë fansat e që ndryshon shumëçka që vinte më parë".
Justin Chang nga The Los Angeles Times e përshkroi atë si "një dështim epik".
"Kjo ‘ngritje’ (ang. Rise) ndihet më shumë si një tërheqje, një kthim në një zonë të sigurisë emocionale dhe tematike nga një regjisor me një dhunti të paketimit të nostalgjisë si subversion", shkroi Chang.
Të tjerët thanë se filmbërësit ia kanë dalë me detyrën e vështirë për ta prodhuar një fund të përshtatshëm për një histori që ka tërhequr gjenerata të tërë të adhuruesve pasionantë.