Showbiz

Disney paralajmëron që “Star Wars: The Rise of Skywalker” mund të shkaktojë sulme epileptike

Drejtuesit në Disney kanë publikuar një paralajmërim se filmi i fundit në franshizën e Star Wars mund të shkaktojë sulme epileptike për ata që kanë epilepsi fotosensitive.

Filmi i ri, “The Rise of Skywalker”, do të shfaqet në kinema më vonë këtë muaj, por në një letër drejtuar kinemave në bashkëpunim me Epilepsy Foundation, studioja kërkon që kinematë t’i paralajmërojnë adhuruesit e filmit për rrezikun e mundshëm, shkruan KOHA Ditore.

Image

"Me qëllim të kujdesit sa më të madh, ju rekomandojmë që në kinematë tuaja apo në sajtet online, si dhe në vendet e tjera të përshtatshme ku klientët tuaj do t’i shohin, të postoni njoftime që përmbajnë informacionin e mëposhtëm: Star Wars: Rise of Skywalker përmban disa sekuenca me imazhe dhe drita të ndezura që mund të ndikojnë tek ata që janë të ndjeshëm ndaj epilepsisë fotosensitive ose fotosensitivitete të tjera", thuhet në letër, shkruan “The Hollywood Reporter”.

“Star Wars: The Rise of Skywalker”, me regji të J.J. Abrams dhe aktorët Mark Hamill, Daisy Ridley, John Boyega dhe e ndjera Carrie Fisher, do të shfaqet më 19 dhjetor.